Ervin Salianji ka reaguar pas takimit që zhvilloi ditën e djeshme me simpatizantë të Partisë Demokratike në Shkodër.
Teksa kryedemokrati Sali Berisha e akuzoi se mbushi sallën me ndihmën e kryebashkiakut socialist, Benet Beci, Salianji u shpreh se PD duhet të ndryshojë, në mënyrë që të mundësojë rotacionin politik.
Postimi i plotë i Ervin Salianjit:
Me mirënjohjen më të thellë për pritjen entuziaste në Shkodër! Partia Demokratike duhet të sjellë rotacionin dhe kjo është një përgjegjësi historike!
Një Kryeministër që nuk mban përgjegjësi për ekipin e tij, nuk është udhëheqës, por thjesht përfitues. Pushteti i tij imoral dhe pa përgjegjësi është rreziku më i madh i demokracisë shqiptare, për të ardhmen, për Shqipërinë e ndershme, dhe kjo nuk duhet lejuar. Rotacioni nuk është as hakmarrje e as luks. Rotacioni është oksigjen për demokracinë. Është pritshmëria e të gjithë shqiptarëve.
Partia Demokratike ka brenda vetes fuqinë për ta realizuar këtë. Por të përmbushur këtë pritshmëri historike Partia Demokratike duhet të ndryshojë, të reformohet, të hapet ndaj shoqërisë. Të fitojë!
Takimet tona nuk janë thjesht një fushatë për këtë qëllim. Ato janë një përballje morale. Mes arrogancës dhe dinjitetit. Mes frikës dhe guximit. Mes së vjetrës që mban peng dhe së resë që çliron. Koha e këtij pushteti ka mbaruar. Ky ishte mesazhi i fuqishëm që u dha në Shkodër dhe ne nuk do të ndalojmë asnjë moment, do të shkelim në çdo pëllëmbë të Shqipërisë për të bashkuar demokratët me shqiptarët!
Koha e ndryshimit ka ardhur. Mirënjohje përjetë për miqtë e mi të vyer shkodranë.





