Detaje të reja janë zbardhur nga konflikti i dhunshëm i ndodhur mbrëmjen e djeshme në Pukë. Nga ngjarja e ndodhur në fshatin Dedaj të Pukës, tre persona janë arrestuar teksa dy të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë. Policia ka arrestuar babë e bir nga familja Shkreli dhe një 34-vjeçar nga familja Istrefi. Nga konflikti me sende të forta e mjete të mprehta, pati dy të plagosur që janë në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Sipas të dhënave paraprake, përplasja dyshohet se ka ardhur si pasojë e një konflikti të hershëm mes familjeve Shkreli dhe Istrefi, i lidhur me çështje pronësie.
Njoftimi i policisë:
Arrestohen në flagrancë 3 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 2 të tjerë (fqinjë), pasi u konfliktuan me njëri-tjetrin, për motive pronësie. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pukë arrestuan në flagrancë shtetasit I. Sh., 67 vjeç, F. Sh., 36 vjeç (djali i 67-vjeçarit) dhe G. I., 34 vjeç, si dhe referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin P. I., 60 vjeç dhe bashkëshorten e tij, shtetasen F. I., 43 vjeçe (motra e shtetasit G. I.), të gjithë banues në fshatin Dedaj, Pukë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se mbrëmjen e djeshme, në fshatin Dedaj, këta shtetas janë konfliktuar për motive pronësie, me njëri-tjetrin, duke përdorur sende të forta dhe mjete prerëse/të mprehta. Si pasojë e konfliktit, kanë pësuar dëmtime shtetasit I. Sh. dhe G. I., të cilët po marrin mjekim në Spitalin Rajonal Shkodër dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Shërbimet e Policisë sekuestruan në cilësinë e provës materiale, sende dhe mjete të dyshuara të përdorura gjatë konfliktit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

