Marrëveshja për Reformën Zgjedhore duket se ka përçarë opozitën parlamentare. Në dalje të kryesisë së Kuvendit, i pari që u shpreh ishte Myslim Murrizi, i cili tha se nuk kishte firmosur për pikën 1 të marrëveshjes. 


Ai deklaroi se ishte kundër marrëveshjes së 5 qershorit dhe pro listave të hapura, kolegët e tij opozitarë janë shprehur ndryshe.


Nimet Musai tha se sot po hapet rruga e vendit drejt BE: “Zgjedhësi i pari. Demokracia e para. Kemi dhënë atë që duhet, ndryshim jo në kurriz të qytetarëve, por të gjithë së bashku me të gjitha forcat politike të vendit, i kemi hapur rrugën drejt BE.Kemi arritur listat e hapura për qytetarët. Ne e kemi miratuar marrëveshjen.”, tha ai.


Nga ana e tij Edmond Stojku pohoi se do të votojë për marrëveshjen e 5 qershorit dhe për listat e hapura. “Ky është një proces i një rruge të gjatë. Do të jemi të detyruar që në 23 do të kemi votimin me 84 vota dhe në 30 do të kemi votimin me 93 vota për ndryshimet kushtetuese. Në këto çaste që flasim, secili kryetar mban përgjegjësinë e vet dhe deklaron mendimin e grupit. Zoti MurrizI ka marrë dakordësi për 2 pikat e para. Vota nuk është kolektive”, tha ai.