Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e kësaj të marte në fshatin Larushk, në Krujë, ku dajë e nip janë qëlluar me breshëri plumbash në oborrin e banesës së Gentian Bejtjas.

Policia ka njoftuar se nga të shtënat ka mbetur i vdekur një 29-vjeçar, ndërsa ka mbetur i plagosur nipi i tij, 13-vjeçar, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:15 në pborrin e banesës së Gentian Bejtjas, i përfshirë në vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj në vitin 2013.

Njoftimi i policisë:

Më datë 04.07.2023, rreth orës 00:15, në fshatin Larushk, në Krujë, në oborrin e banesës së shtetasit G. B., në rrethana ende të paqarta janë qëlluar me armë zjarri shtetasit R. S., 29 vjeç dhe A. B., 13 vjeç, (dajë e nip).

Si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë shtetasi R. S., ndërsa shtetasi A. B., ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Shërbimet e Policisë pas marrjes së njoftimit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, kanë rrethuar zonën, kanë ngritur pika kontrolli dhe vijon krehja e zonës për të bërë të mundur kapjen e autorit/ëve.

Në Tapizë, te lapidari, rreth orës 00:40, është gjetur duke u djegur një automjet dyshohet tip “Volksëagen”.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje dhe vijon veprimet hetimore për sekuestrimin e provave me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.