Ditën e sotme në emisionin “Shqipëria Live” u diskutua gjatë në lidhje me vaksinën AstraZeneca, e cila është pezulluar në nëntë shtete.
Në lidhje “Skype” nga Norvegjia ishte Ornela Ademi nga Agjencia Evropiane e Ilaçeve. Sipas saj, mpiksja e gjakut ndodh dhe në mënyrë natyrale, pa marrë vaksinë.
“Këto trompoempolizma ndodhin në mënyrë natyrale në 1/10.000 persona, në mënyrë natyrale, dhe pa marrë vaksinës, te personat nën moshën 40 vjeç. Dhe 5-7/10.000 persona në moshën mbi 80 vjeçe”, sqaroi Ademi.
Kjo e fundit shtoi se EMA po heton të gjitha rastet. “Po sheh këto efekte potenciale, sepse nuk është e thënë që janë shkaktuar nga vaksina. Vendet që e kanë pezulluar kanë pasur raste, që mund të jenë efekte anësore të mundshme, EMA po i heton. Para se të bëhej raportimi kësaj vaksina, nuk ka ndodhur asnjë rast i tillë te rastet studimore”, vijon ajo.
Gjithashtu Ornela Ademi u bën thirrje njerëzve që të mos kenë frikë. “Rreziku i infektimit është shumë herë më i lartë se efektet anësore që mund të jenë të lidhura me vaksinën”, shprehet ajo.