Një shtetas shqiptar dhe bashkëshortja e tij janë arrestuar nga policia italiane pasi në makinën dhe shtëpinë e tyre është gjetur heroinë dhe mijëra euro.

Policia e Padovës thotë se në makinën e shqiptarëve ka gjetur 3 kg heroinë dhe 33 mijë euro cash, të ardhura të mundshme nga aktiviteti i paligjshëm i shitjes së drogës.

Shqiptarët po udhëtonin me makinën e tyre “Volkswagen Polo” bashkē me djalin e tyre 10 muajsh kur u ndaluan nga policia. Gjatë kontrolleve të para të ndodhura pasditen e djeshme të 17 nëntorit, drejtuesi i mjetit është shfaqur menjëherë mjaft nervoz. Ai ka raportuar në polici se ndodhej në Padova për të vizituar një të afërm dhe se në fakt jetonte me familjen në Bolonjë. Gjatë kontrollit të Polo-s, policia gjeti 3 pako me heroinë të mbështjellë me çorape me peshë rreth një kilogram e gjysmë dhe para të gatshme për mbi 33 mijë euro.

Pas kësaj policia ushtroi kontrolle edhe në shtëpinë e shqiptarit dhe aty gjeti 7 kilogramë e gjysmë të së njëjtës lëndë të ndara në blloqe njësoj si atë në makinë dhe disa materiale të tjera të dobishme për formimin dhe paketimin e blloqeve të drogës. Kanë dalë gjithashtu 20 kilogramë lëndë prerëse.

29-vjeçari shqiptar dhe bashkëshortja e tij 28-vjeçare shqiptare akuzohen për posedim dhe trafikim lëndësh narkotike.