Kandidati i listës së hapur të Partisë Demokratike në Qarkun e Lezhës, Gjin Gjoni, ka reaguar ndaj akuzave të bëra nga kryesocialisti dhe kandidati për deputet, Ermal Pacaj, lidhur me një incident të ndodhur një mbrëmjen e djeshme në Dajç.

Gjoni ka mohuar kategorikisht çdo përfshirje në ndonjë situatë me armë, duke sqaruar se ngjarja ka ndodhur jashtë automjetit dhe se nuk ka patur asnjë armë në posedim. Sipas tij, makina e tij ishte ndjekur që nga fshati Mabë deri në Dajç, dhe të gjitha automjetet e përfshira, si dhe personat në to, janë të identifikueshëm.

Ai ka shtuar se gjithçka lidhet me përpjekjet për të mbrojtur integritetin e votës, duke theksuar se në terren janë organizuar grupe vullnetarësh që po monitorojnë procesin zgjedhor, pas informacioneve të përsëritura për përpjekje për blerje votash.

“Partia Demokratike është parti fituese, padyshim që do jetë fituese edhe në zgjedhjet e ardhshme, pavarësisht kushteve që kryetari i Partisë Socialiste u ka vënë drejtuesve të qarkut Lezhë për të ndryshuar këtë rezultat dhe si duket të janë në panik dhe padyshim që kërkojnë të zbatojnë me korrektësi porositë dhe urdhrat e padronit dhe deklaratat e dhëna sot, janë deklarata të pabaza, unë padyshim që kam përmendur emra konkretë dhe jam konkret në ato që kam përmend.

Informacioni i ardhur është informacion që vjen çdo ditë nga qytetarë të ndryshëm, na japin informacion për njerëz të caktuar, për emra të caktuar. Njerëz të cilët janë të lidhur me pushtetin qendror dhe me pushtetin lokal, padyshim që tani janë njerëz që punojnë në institucione të Bashkisë së Lezhës dhe në institucione qendrore që i përkasin qarkut të Lezhës, dhe nga krahu tjetër këto informacione vijnë edhe nga zyrat e tyre elektorale për shkak të konfliktit që ka shpërthyer midis kandidatëve të ndryshëm brenda listës së hapur të Partisë Socialiste, sepse secili prej tyre kërkon të ketë njëlloj superioriteti ndaj një kandidati tjetër.

Ne kemi shumë informacione dhe për takime që janë bërë se cilin prej kandidatëve do mbështesin edhe cilin jo të strukturave të PS dhe për të pasur një avantazh janë turrur si hijena në lidhje me blerjen e qytetarëve të Lezhës, pa dyshim për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve.

Ne i kemi në vëzhgim total secilin prej tyre, ne kemi ngritur ekipet vullnetare për mbrojtjen e votës. Ta harrojnë që Lezha do ngelet një dele e zezë në hartën e zgjedhjeve në Shqipëri, si në zgjedhjet e përgjithshme ashtu edhe lokale.”– tha Gjoni.