Zbardhet dinamika e ngjarjes së rëndë që ndodhi mesditën e sotme në Balldren të Lezhës ku mbetën të vdekur dy persona, burrë e grua. Mësohet se çifti i bashkëshortëve Kreshnik dhe Gentiana Mujeci, pasi kanë konsumuar një drekë në një nga lokalet e Lezhës, kanë qenë duke ikur drejt banesës së tyre.

Në rrugën Balldre-Torovicë, aty ku banonte 39-vjeçari, njëri prej dy automjeteve i ka zënë pritë, duke i dalë para automjetit “Audi Q7” me të cilën udhëtonte viktima dhe bashkëshortja e tij. Më pas është afruar një automjet tjetër pa targa, ku dy persona kanë zbritur nga ky automjet dhe me armë zjarri kallashnikov dhe kanë qëlluar me breshëri plumbash në drejtim të 39-vjeçarit dhe bashkëshortes së tij, duke i lënë të vdekur në vend.

Për realizimin e këtij atentati kanë vepruar dy automjete dhe e gjithë ngjarja është e filmuar, pasi në vendin e ngjarjes ka kamera sigurie të një banese, por edhe të bizneseve private.

Atentati ka qenë i mirëmenduar dhe i mirëorganizuar, pasi dyshohet se autorët e kësaj ngjarje kanë ndjekur gjatë gjithë ditës së sotme itinerarin e lëvizjes së 39-vjeçarit dhe kanë pritur momentin kur ai ka ikur drejt rrugës për në banesën e tij.