Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me atentatin që la dy viktima, Kreshnik dhe Gentiana Mujeci, ditën e sotme në Balldre të Lezhës.
Pas dyshimeve se ngjarja mund të kishte lidhje me një hasmëri të vjetër, ka reaguar në rrjetet sociale avokati Gjergj Neli, njëkohësisht kushëri i viktimave Në një deklaratë publike, Neli u bën thirrje organeve ligjzbatuese që të zbardhin sa më shpejt dhe në mënyrë të plotë rrethanat e ngjarjes, ndërsa ka hedhur poshtë pretendimet se atentati ka ardhur si pasojë e hakmarrjes apo gjakmarrjes.
Sipas tij, këto pretendime janë të pavërteta dhe të pabazuara, ndërsa thekson se familja Mujeci nuk ka asnjë konflikt të tillë. Gjithashtu, ai sqaron se përmendja e një ngjarjeje të vitit 2017 në Malin e Jushit është e pavend, pasi çështja është trajtuar dhe mbyllur nga organet e drejtësisë, ku Mujeci nuk është gjetur fajtor nga Prokuroria dhe gjykatat përkatëse.
Postimi i plotë:
Për ngjarjen e rëndë dhe makabre të atentatit ndaj Kreshnik Mujecit me familje
Me mallëngjim dhe me keqardhje morëm vesh njoftimin e hidhur në lidhje me ngjarjen e rëndë të një atentati të ndodhur sot në fshatin Balldren, Njësia Administrative Balldren, Bashkia Lezhë, ku humbën jetën tragjikisht shtetasit Kreshnik Mujeci dhe Gentjana Mujeci. Ndaj, për këtë atentat makabër, shprehim dhimbjen e thellë dhe solidaritetin me familjarët e viktimave në këtë moment të vështirë.
Dënojmë me forcë këtë akt të rëndë kriminal dhe kërkojmë nga organet ligjzbatuese zbardhjen e plotë dhe të shpejtë të ngjarjes, si dhe vënien përpara përgjegjësisë të autorëve.
Njëkohësisht, dënojmë publikisht deklarimet e disa mediave, të cilat kanë aluduar se kjo ngjarje lidhet kryesisht me motive hakmarrjeje, meqenëse gjaku dhe fisi i Mujeçëve nuk u kanë asnjë detyrim. Versione të kësaj natyre edhe mund të jenë një nga pistat e dyshuara për organet ligjzbatuese, por këshillojmë moslënien në harresë edhe të pistave të tjera të dyshimta për ngjarjen kriminale të ndodhur.
Kreshnik Mujeci ka qenë një familjar i rregullt, i dashur dhe i respektuar me të afërmit dhe me të gjithë komunitetin përreth Lezhës dhe Shkodrës, i cili merrej me blegtori së bashku me bashkëshorten e ndjerë për të përballuar jetesën normale në shërbim të familjes.
Këto pretendime janë të pavërteta dhe të pabazuara përtej çdo dyshimi në lidhje me ngjarjen e vitit 2017 në Malin e Jushit, për të cilën është trajtuar dhe ezauruar nga organet kompetente, përkatësisht Prokuroria e Shkodrës, si dhe nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe Gjykata e Apelit Shkodër.
Në përfundim të këtyre proceseve, shtetasi Kreshnik Mujeci nuk është gjetur fajtor në lidhje me atë ngjarje. Për rrjedhojë, çdo përpjekje për ta lidhur ngjarjen e sotme me pretendime të tilla është e papranueshme dhe cenon të vërtetën, si dhe rëndon padrejtësisht mbi familjen e viktimave.
U bëjmë thirrje mediave të tregojnë përgjegjësi profesionale, të verifikojnë informacionin dhe të shmangin përhapjen e lajmeve të pasakta që mund të ndikojnë negativisht në opinionin publik dhe në dinjitetin e familjeve që presupozohen të përfshira në konflikt.
Për këtë, kërkojmë drejtësi dhe zbardhjen e ngjarjes, transparencë të plotë për këtë ngjarje makabre dhe të rëndë.
Zoti forcoftë familjarët dhe gjithë miqësinë kudo që të jenë. Lamtumirë kushëriri jem! Lamtumirë kunatë!
Pushofshi në paqen e Zotit!




