Një ngjarje e rëndë kriminale është parandalaur ditën e sotme në Vlorë.
Mësohet se dy persona me rrezikshmëri të lartë, janë kapur në flagrancë, teksa po tentonin të vendosin dy mina me telekomandë, të programuara gati për shpërthim në distancë.
Sipas policisë, kjo ngjarje ka lidhje me arrestimin e një 35-vjeçari dy ditë më parë, i cili lëvizte me armë të pajisur me silenciator dhe me fishekë gati për qitje.
Njoftimi i policisë:
Vlorë/Parandalohen ngjarje të rënda kriminale. Sekuestrohen 2 mina me telekomandë, të programuara për shpërthim në distancë. Finalizohet operacioni policor i koduar “Knock Out 2”, i zhvilluar nga strukturat hetimore të DVP Vlorë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Himarë. Kapen në flagrancë dhe vihen në pranga 2 shtetas (xhaxhai dhe nipi), të cilët i kishin fshehur minat, në kroskotin e automjetit me të cilin lëviznin.
Në vijim të punës intensive të Policisë së Vlorës, për të garantuar sundimin e ligjit në të gjithë territorin e qarkut, për të parandaluar ngjarjet kriminale, si dhe për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetasit që janë rrezik potencial për rendin dhe sigurinë publike, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Himarë dhe të mbështetura nga inteligjenca policore, kanë finalizuar operacionin e koduar “Knock Out 2”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:
F. Gj., 33 vjeç, banues në Burrel dhe E. Gj., 19 vjeç, banues në Laç (xhaxhai dhe nipi).
Shërbimet e Policisë, në hyrje të qytetit të Vlorës, ndaluan automjetin me të cilin lëviznin 2 të arrestuarit. Gjatë kontrollit të imtësishëm, në kroskotin e këtij automjeti, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 2 mina me telekomandë, të programuara për shpërthim në distancë (të pajisura me aparat celular dhe me kapsolla detonatore), të cilat dyshohet se do të përdoreshin për kryerjen e ngjarjeve të rënda kriminale.
Vijojnë veprimet e thelluara hetimore, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për të dokumentuar ligjërisht qëllimin e këtyre 2 shtetasve, si dhe për kapjen e 2 subjekteve të tjera të dyshuara të përfshira në këtë rast.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.