Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar revokimin e akreditimit për të gjithë vëzhguesit, për KZAZ-në nr. 27, në Vorë.
Ky vendim vjen pas sherrit që Flamur Noka pati me disa qytetarë, pasi pretendoi se anëtarë të bandave kriminale hyjnë si vëzhgues për të intimiduar votuesit.

Për këtë reagoi më herët dhe kreu i KQZ, Ilirjan Ceibashi, i cili tha theksoi se do të ishte shumë më e dobishme që përfaqësuesit politikë të adresojnë çdo keqkuptim apo shqetësim pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke qëndruar larg qendrave të votimit për të shmangur tensionet.
Vendimi i KQZ:
REVOKIMIN E AKREDITIMIT TË VËZHGUESVE TË KZAZ-SË NR. 27 BASHKIA VORË, QARKU TIRANË, PËR ZGJEDHJET PËR KUVEND, TË DATËS 11 MAJ 2025
Në mbështetje të neneve 6, 7, 19, pikat 1, shkronja “n”, dhe 2, të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar dhe Vendimit nr. 23 date 1.2.2023, “Për procedurat dhe kriteret e akreditimit të vëzhguesve të subjekteve zgjedhore në komisionet e zonave të administrimit zgjedhor, komisionet e qendrave të votimit dhe vendet e numërimit të votave, në zgjedhje”,
VENDOS:
Revokimin e akreditimit të të gjithë vëzhguesve, për KZAZ-në nr. 27, Bashkia Vorë, Qarku Tiranë, të lëshuara për KZAZ-në, KQV-të dhe VNV-të, përveç vëzhguesve ndërkombëtar dhe mediave..
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në faqen zyrtare të internetit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve brenda 3 (tre) ditëve nga shpallja e tij.




