Seanca e sotme plenare është shoqëruar me debate të forta, fillimisht mes deputetëve të Partisë Demokratike, por edhe me kreyparlamentaren Lindita Nikolla.

Deputeti Flamur Noka ka ashpërsuar tonet në lidhje me vendimin e anëtarëve të grupit parlamentar të PD, për përjashtimin e tij dhe të disa mbështetësve të tjerë të ish-kryeministrit Sali Berisha.

Pas debatit me anëtarët e PD, Noka ka akuzuar Nikollën se po përdoret nga mazhoranca, ndërsa tha se vendimi për përjashtimin është i paligjshëm dhe jokushtetues.

Nga ana tjetër, Nikolla iu përgjigj se vendimi është marrë nga brenda grupit parlamentar të PD-së dhe ai vetëm sa i është komunikuar Kuvendit.

Flamur Noka: Për ju zonjë ndiej keqardhje që keni lejuar të keqpërdoreni politikisht pafund që kur jeni ulur në atë karrige. Keqpërdroimi politik është kur ti nuk respekton rregulloren dhe Kushtetutën, por merresh me letra bakalli. Rregullorja imponon vullnetin e deputetit për të zgjedhur grupin parlamentar që dëshiron.

Ne na kanë zgjedhur demokratët nuk na ka zgjedhur “Rilindja” që të rrotullosh ti lapsin nga të duash. Jepu deputetëve vendimin që mbi mbazën e të cilit këta deputetë janë shpallur armiq dhe që pjesa tjetër është mik me kryeministrin Në të kundërt nuk ka vendim, për sa kohë nuk ka vendim, ti je e para që do shkosh për ndjekje penale për shkelje të kushtetutës!

Lindita Nikolla: Parlamenti zhvillon veprimtarinë mbi bazën e grupeve parlamentare, të cilët kanë rregulloren e brendshme. Grupi parlamentar ka tagrin të marrë vendime dhe këto vendime t’ia komunikojë kuvendit dhe kryetares së Kuvendit. Nëse doni vendimin e grupit parlamentar unë jam e gatshme t’ua vendos në dispozicion për herë të dytë. Lironi foltoren, nëse doni vendimin e grupit e keni dispozicion.