Reshjet e dendura të shiut kanë krijuar probleme edhe në Durrës, teksa mëngjesin e sotëm rrugët e qytetit bregdetar janë nën pushtetin e ujit.
Uji, i cili ka depërtuar mbi trotuare ka vështirësuar lëvizjen e këmbësorëve dhe qarkullimin e automjeteve. Problematika më e theksuar vërehet ne lagjen 18 dhe ish-Kënetë. Nga ana tjetër, më problematike situata është në qarkun e Shkodrës, ku si rezultat i reshjeve të shumta ka pasur dalje të përrenjve nga shtrati dhe përmbytje të një sipërfaqe prej 400 ha në Fushën e Muriqanit, në Njësinë Administrative Ana e Malit.
Situata alarmante ka bërë që Komiteti i Mbrojtjes Civile të mblidhet urgjentisht, për të rekomanduar pasa dhe plane për menaxhimin e problemeve.
“Me kryetarët e bashkive dhe Prefektët e këtyre qarqeve rakorduam planin e masave parandaluese dhe lehtësuese për menaxhimin e situatës edhe në orët në vijim, që sipas parashikimit të motit do të jenë me reshje të shumta.
Jemi çdo minutë në monitorim të situatës. Ministria e Mbrojtjes, Agjencia e Mbrojtjes Civile dhe Forcat e Armatosura janë në gatishmëri për çdo nevojë të pushtetit vendor dhe qytetarëve”, bën me dije Ministria e Mbrojtjes.