“Po më shkatërrohet jeta e vajzës”, thotë nëna e 17-vjeçares që u dhunua nga tre adoleshente më datë 8 qershor, por ngjarja u bë publike ditën e djeshme për mediat.
Nëna e 17-vjeçares, e kontaktuar nga Top Channel, me lot në sy shprehet se është thellësisht e shqetësuar për gjendjen psikologjike të vajzës së saj dhe kërkon ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse. Ajo thotë se jeton me frikë edhe për sigurinë e fëmijëve të tjerë të mitur të familjes.
Vajza ishte ftuar nga shoqet e saj me pretekstin për të sqaruar një bisedë, por takimi ka përfunduar në një akt të rëndë dhune fizike, ndërsa njëra prej tyre filmonte dhe nxiste agresionin.
Ngjarja është denoncuar në Policinë e Fierit nga prindërit e 17-vjeçares një ditë pas episodit. Megjithatë, sipas familjarëve dhe fqinjëve, institucionet nuk kanë reaguar me masat e duhura, çka ka bërë që rasti të rikthehet në vëmendje vetëm pas publikimit të videos.
Sipas të afërmve, e mitura me inicialet P.D. kishte ndërprerë shkollën për të ndjekur një kurs parukerie, me synimin për të siguruar një profesion.
Ndërkohë, çështja është në shqyrtim nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, e cila po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.
Ngjarja ka ndodhur më datë 8 qershor, ndërsa mësohet se tre vajzat të moshave 15 dhe 19 vjeç, janë proceduar në gjendje të lirë.
Ngjarja është referuar në Prokuroi më datë 9 qershor, pra një ditë pas dhunës.
Pamjet e publikuara në rrjetet, të filmuara nga njëra prej tyre, tregojnë të miturën duke u goditur me shuplaka dhe grushte, ndërsa vajza që filmon dëgjohet edhe duke i nxitur të vazhdojnë.


