Përmirësohet gjendja e Kryepiskopit Anastas. Burime nga Kisha Orthodhokse bëjnë me dije se nga spitali ‘Evangelismos’ në Athina kanë marrë përditësimin sot në mëngjes se Kryepiskopi është në gjendje më të mirë shëndetësore.

Gjithashtu mjekët kanë përjashtuar për momentin mundësinë e ndërhyrjes kirurgjikale në një vatër infeksioni, që i jepte shqetësimet, për shkak të përmirësimit të gjendjes. Ditët e fundit gjendja shëndetësore e Fortlumturisë së tij raportohej se ishte e rëndë nga mediat greke, për shkak të problemit me gjakderdhjen në sistemin e aparatit tretës.

Kryepeshkopi Anastas u transportua nga Tirana në Athinë më 3 janar, me një avion të Forcave ushtarake greke. Fillimisht, ai ishte shtruar në një spital në Tiranë më 30 dhjetor për shkak të një gripi sezonal, por përkeqësimi i gjendjes së tij e bëri të nevojshme transferimin e tij në një spital në Athinë.