Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu ditën e sotme ka prezantuar katër nënkryetarët e rinj të Bashkisë Tiranë.
Prezantimet e reja kanë ardhur pas dorëheqjes së nënkryetarëve Frida Pashako, Andi Seferi, Keti Luarasi dhe Jonida Halili. Personat që do t’i zëvendësojnë janë Ilir Mengra, Blendi Sula, Gentian Keri dhe Vasilika Vjero. Mësohet se Mengra do të merret me punët publike ndërsa Vjero me financat dhe zhvillimin ekonomik. Nga ana tjetër Sula do të merret me territorin dhe menaxhimin e zhvillimit rural. Keri më detyrën e re do të merret në administatën e Bashkisë. Në krye të bashkisë vijon të jetë Anuela Ristani pasi kryebashkiaku Erion Veliaj ndodhet prej muajsh në burgun e Durrësit.
Ndryshimet vijnë pas takimeve të zhvilluara nga kryeministri Edi Rama me deputetët e qarkut të Tiranës dhe drejtorët e bashkisë së kryeqytetit. Në mbledhjen e fundit, Rama kishte kërkuar gjithashtu që bashkia të ishte me 5 nënkryetarë dhe secili prej tyre të kishte një profil të caktuar. Ndërkohë raportohet se në mbledhje, kryetares së komanduar të bashkisë Tiranë, Anuela Ristanit, Rama i ka ngarkuar pjesën e digjitalizimit në këtë insititucion.
Ende nuk dihet nëse në bashkinë e Tiranës, mund të ketë zgjedhje të reja, për shkak se kryebashkiaku Erion Veliaj ndodhet në burg prej disa muajsh. Ai dyshohet për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.



