Janë publikuar pamjet e para nga operacionet e shpëtimit në Britaninë e Madhe, pas mbytjes së një gomoneje që mbante mbi 40 emigrantë.

Teksa tashmë janë konfirmuar 3 viktima, 43 persona janë shpëtuar por rojet bregdetare vijojnë kërkimet në ujërat e acarta.

Pamjet e jashtëzakonshme tregojnë momentin kur shpëtimtarët arritën në mjetin e goditur, pasi rojet bregdetare të Mbretërisë së Bashkuar morën një telefonatë fatkeqësie pak orë në 3 të mëngjesit.

Ngjarja e rëndë vjen si për ironi, vetëm pak ditë pasi kryeministri britanik Rishi Sunak prezantoi planin e tij kundër emigrantëve shqiptarë, që mbërrijnë në ishull me gomone.

 

Sipas raporteve nga Britania e Madhe, shqiptarët përbëjnë numrin më të madh të emigrantëve që shkojnë aty, teksa sipas këtij plani të ri, këta emigrantë do kthehen menjëherë mbrapsht për në vendin tonë, i cili do cilësohet si “vend i sigurt”, gjë që do hiqte mundësinë e marrjes së azilit.

Po ashtu Sunak paralajmëroi se do të ketë një qasje më të ashpër ndaj emigracionit të paligjshëm dhe një përpjekje të madhe për të pastruar numrin e madh të kërkesave për azil.

Konservatorët sot këmbëngulën se ngjarjet e fundit ‘tragjike dhe të tmerrshme’ treguan ‘pikërisht pse duhet ta ndalojnë këtë fenomen.