Aprovimi i Kuvendit të Shqipërisë, që i la rrugën e lirë Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për prangosjen e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj ka mbërritur në ambientet e SPAK. Disa orë pas votimit, tashmë, Kuvendi ka dorëzuar te Prokuroria e Posaçme autorizimin për heqjen e lirisë së Ahmetajt.
Sot, me 117 vota pro, Kuvendi aprovoi kërkesën e SPAK për arrestimin e deputetit Arben Ahmetaj dhe kontrollin e banesës së tij, por absetenduan vetëm Fatmir Mediu, Vangjel Dule dhe Agron Duka. Me këtë vendim, Kuvendi heq imunitetin e Ahmetajt, por ky i fundit vijon ta mbajë mandatin e deputetit. Ahmetajt mund t’i hiqet mandati në rastin e vendimit të formës së prerë nga gjykata ose nëse ai jep dorëheqjen.
Në parlament, opozita shfrytëzoi sërish seancën e sotme për të akuzuar shumicën, duke drejtuar gishtin ndaj kryeministrit Edi Rama, si përgjegjësin kryesor sipas saj të çështjes së inceneratorëve, ndërsa socialistët u kujdesën që t’i përmbaheshin aspektit teknik e procedurial të çështjes. Ndryshe nga dje, sot në sallë ishte edhe kryeministri Rama, i cili qëndroi disa minuta në sallë në hapje të seancës, ndërsa sot në orën 18.30 do t’i drejtohet opinionit publik.