Pesë të rinj nga Italia janë shpallur në kërkim nga policia, pasi akuzohen se mbrëmjen e djeshme janë përfshirë në një sherr të dhunshëm në shëtitoren e Sarandës.
Raportohet se ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, në datën 24 korrik. Ngjarja u bë publike në rrjetet sociale përmes një videoje ku shfaqeshin pamje të një përleshjeje mes disa personave , që godisnin njëri-tjetrin me grushte dhe sende të forta.
Policia bën me dije se të rinjtë janë me origjinë nga Napoli dhe Avelino.
Njoftimi i policisë:
Sarandë/Shpallen në kërkim 5 shtetas italianë që u konfliktuan me sende të forta në shëtitoren e qytetit.
Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale, që pasqyron një konflikt fizik mes disa shtetasve në shëtitoren e Sarandës, sqarojmë se:
Ngjarja ka ndodhur më datë 24.07.2025, rreth orës 01:30, dhe menjëherë pas saj, strukturat e Komisariatit të Policisë Sarandë kanë nisur veprimet procedurale për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e saj të plotë ligjor.
Nga hetimet ka rezultuar se dy grupe shtetasish italianë janë përfshirë në një konflikt për motive të dobëta, ku kanë goditur njëri-tjetrin me grushte dhe sende të forta.
Në përfundim të veprimeve procedurale u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, dhe u bë shpallja në kërkim për shtetasit italianë:
G. T., 23 vjeç, M. A., 20 vjeç, S. D., 60 vjeç, A. L., 19 vjeç, S. B., 19 vjeç, të gjithë banues në Napoli, Itali.
Këta 5 shtetas janë konfliktuar dhe kanë goditur me sende të forta shtetasit italianë G. M., 19 vjeç, F. D., 22 vjeç, L. D., 20 vjeç, të gjithë banues në Avelino, Itali.
Strukturat e Komisariatit të Policisë Sarandë vijojnë veprimet për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.
Materialet procedurale u referuan në Prokurori, për veprime të mëtejshme.




