Pesëmbëdhjetë persona u arrestuan ditën e sotme në Itali, pas një operacioni anti-drogë nga Guardia di Finanza.

Sipas mediave italiane, operacioni ëhstë zhvilluar  në Basilicata, Liguria dhe Pulia, ku policia ka mundur të arrestojë shtetas italianë dhe shqiptarë, të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge (heroinë, kokainë, hashash dhe marihuanë) nga Shqipëria, ku investoheshin të ardhurat e akumuluara të paligjshme.

Baza e organizatës ishte në Scanzano Jonico (Matera), në një fermë që shërbente si “selia” për trafikun e drogës, ndërsa lidhja me Shqipërinë u bë përmes “një sistemi kompleks bisedash të koduara”, raporton ‘Ansa’.

Gjatë hetimit u sekuestruan mbi 20 kilogramë heroinë, 5.7 kilogramë marihuanë dhe 105 gram kokainë. Krahas arrestimit të 15 të dyshuarve, kryesisht shqiptarë, mes të cilëve edhe “kreu” i organizatës dhe bashkëpunëtori i tij më i afërt, pronar i fermës bazë të bazës, u kryen sekuestrime me vlerë prej 4.2 milionë euro.

Të ardhurat e trafikut të drogës (mbërrinin në Itali, substancat shpërndaheshin në të gjithë territorin “edhe organizatave të tjera autonome”) u investuan në Shqipëri “për blerjen e pasurive të paluajtshme dhe aktivitetet tregtare”.