Avokati i ish-presidentit Ilir Meta, Kujtim Cakani ka dalë në një deklaratë për mediat, pasi u paraqit ditën e sotme në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Cakrani deklaroi se SPAK i komunikoi që do të shtyhet afati i hetimit me 6 muaj, duke qenë se ditën e nesërme përfundonte afati. Sipas Cakranit, prokurorët pritet të paraqesin prova të reja akuzuese ndaj Metës.
Cakrani deklaroi se Meta po mbahet padrejtësisht në qeli, pasi ndaj tij nuk ka prova, duke e cilësuar të gjithë çështjen si “inkuizicion”.
“Ka mbi 7 muaj në paraburgim dhe prokuroria çdo dy muaj duhet t’i kërkojë gjykatës, pra të bëjë verifikimin e masës së sigurimit dhe prokuroria nuk e ka bërë këtë. Ne nuk e kemi bërë kërkesën dhe ne këto do ti pasqyrojmë më vonë në Gjykatën e Strasburgut.
Prokuroria e Posaçme ka zgjatur afatet për hetimet për 6 muaj. Është hera e dytë që bëjnë. Thotë ne po presim prova, po presin një akt ekspertimi të ish-vjehrrës së Metës. Se ç’lidhje ka zoti Meta me këtë nuk e dimë. Javën që vjen do dorëzojmë kërkesën te Gjykata Kushtetuese sa i përket masave të sigurimit dhe nëse nuk marrim përgjigje, do i drejtohemi Strasburgut.”- tha Cakrani.




