Në emisionin Top Story të drejtuar nga Grida Duma mbrëmjen e djeshme u diskutua sulmi me armë ndaj godinës së Top Channel 1 vit më parë.

I ftuar në studio për të folur lidhur me këtë çështje ishte dhe eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, tha se policia ka një dilemë shumë të madhe.

“Midis asaj që ka zbardhur në rrugë operative, që policia e ka zbardhur e them me bindje, e di nga burime të miat, por tjetër gjë është ta zbardhësh nga ana proceduriale me prova.

Kemi një problem se na shëtisin shumë makina të vjedhura dhe me targa fallco. Ende nuk po na funksionojnë kamerat inteligjente për t`i mos parandaluar në kohë dhe këto largohen për 80 km pa i ndodhur asgjë.

Është tipike një sulm terrorist, kur i drejtohet institucionit. Aty nuk është djegur plotësisht makina dhe kanë gjurmë aty që më shumë janë biologjike me profil ADN-je, duhet të kishte dalë një rezultat. Ka pasur disa vonesa. E para ka qenë vonesa se u angazhuan më shumë në dy pista, që ose roja kishte një konflikt familjar me ish-dhëndrin e tij, dhëndrri u thirr i pari. Ose në lidhje me grupe të caktuara që konfliktoheshin nga jashtë Big Brother. U mbajtën në survejim e u vëzhguan. Kjo harxhoi kohë dhe energji, fillon dhe bie ai hovi i madh. Po nuk u kap gjëja kryesore brenda 48 orëve, bie hovi. Tani ka kaluar 1 vit.

Janë shumë arsye që mund të ishin parë në një këndvështrim ndryshe, vullneti nuk ka munguar, por policia duhet të kishte një task force, se është ngjarje e rëndë se flitet për një institucion,” tha Karamuço.