Të tjera detaje janë bërë me dije në lidhje me arrestimin e 53-vjeçarit Fatjon Çeliku, pasi qëlloi me armë zjarri në ajër pas një konflikti me një person, në një lokal në Mullet. Mësohet se debati me 23-vjeçarin A. H ka nisur për një gotë alkool. Fatjon Çeliku, kishte shkuar në biznesin familjar të 23-vjeçarit dhe kishte kërkuar të konsumonte alkool. I riu nuk pranoi t’i shërbente, pasi Çeliku njihej në zonë si person problematik dhe refuzimi solli një debat mes tyre.
Pas konfliktit, 53-vjeçari u largua nga lokali dhe shkoi në banesën e tij, ku dyshohet se mori një pistoletë që e posedonte pa leje. Pak më vonë, Çeliku u rikthye pranë lokalit ku ndodhej 23-vjeçari dhe qëlloi me armë zjarri në ajër, dyshohet me qëllim kanosjen e të riut. Pas njoftimit për të shtënat, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 shkuan menjëherë në vendngjarje. Falë ndërhyrjes së shpejtë, u parandalua përshkallëzimi i konfliktit dhe 53-vjeçari u arrestua në flagrancë. Në cilësinë e provës materiale, policia sekuestroi edhe pistoletën.

