Një viktimë dhe dy persona të plagosur është raporti i një konflikti të ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në lagjen “Kongresi i Përmetit” në Shkodër.

Nga informacionet e para të policisë bëhet e ditur se, rreth orës 05:30, shtetasi Andri Vulaj, 25 vjeç, dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta ka qëlluar me armë zjarri ndaj Qamil Lulit, 63 vjeç, dhe djalit të tij, Ylber Luli, 24 vjeç.

Babë e bir dyshohet se më pas kanë plagosur me mjet prerës, thikë, 25-vjeçarin Vulaj.

Të plagosurit janë transportuar në spital për të marrë ndihmën mjekësore, por Ylber Luli, 24 vjeç, ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.

Menjëherë pas ngjarjes, shërbimet e policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin e Andri Vulajt.

Gjithashtu, gjatë veprimeve në vendngjarje, Policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, pistoletë, e cila dyshohet se është përdorur gjatë konfliktit.

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, përcaktimin e përgjegjësive dhe dokumentimin ligjor të saj.