Policia ka dhënë detaje në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur sot në Lezhë, ku një person mbeti i vrarë.
Sipas uniformave blu, viktima Nikolin Lekstakaj është qëlluar me breshëri sapo ka dalë nga marketi, nga një person që ishte brenda një makine me xhama të zinj. Në momentin e ngjarjes, në market ka qenë vetëm shitësja e cila dyshohet se ka parë gjithçka dhe tashmë po merret në pyetje.
Ndërkohë, dyshohet se viktima është ndjekur sot gjatë gjithë kohës, pasi atentati ka qenë i mirë menduar.
Njoftimi i policisë:
Më datë 19.07.2023, rreth orës 18:30, në Balldre, Lezhë, në rrethana ende të paqarta është vrarë me armë zjarri shtetasi N. M (L), rreth 42 vjeç. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe kanë bërë rrethimin e zonës, janë ngritur pika kontrolli e vijon krehja e zonës për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.