Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka mbërritur në Kryeministri dhe po zhvillon një takim me kryeministrin Edi Rama.
Ky takim vjen vetëm një orë para nisjes së protestës së Opozitës. Mendohet se, tema kryesore e bisedës mes Çuçit e Ramës do të jenë pikërisht masat e marra për këtë protestë.
Nga ana tjetër, Policia e Shtetit ka bërë një plan masash dhe ka lajmëruar se qarkullimi do të bllokohet në rrugët: bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.
Mijëra qytetarë janë nisur nga qytete të ndryshme për t’u bashkuar në Tiranë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, aty ku pritet të kulmojë protesta e Opozitës. Protesta do të nisë në orën 12:00. Lideri i demokratëve Sali Berisha dhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta do të jenë gjithashtu të pranishëm në tubimin që do të zhvillohet poshtë zyrës së kryeministrit Rama.