Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e ish-efektivit të “Shqiponjave”, Nevaldo Hajdaraj, i dënuar për vrasjen e Klodian Rashës, duke lënë në fuqi vendimi i Gjykatës së Apelit dhe dënimi me 18 vite burg për “vrasje me dashje”, por që zbret në 12 vite heqje lirie për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Klodian Rasha u vra më 8 dhjetor 2020, teksa vendi ishte nën masat e rrepta të kufizimeve për shkak të pandemisë së Covid-19.
Ai po ecte në rrugën “Dritan Hoxha”, në momentin që u pikas nga efektivi Hajdaraj, i cili po patrullonte me kolegun e tij nga “Zogu i Zi” në drejtim të sheshit “Shqiponja”. Efektivët i thirrën, por Rasha nuk ndaloi dhe Hajdaraj e ndoqi nga pas. Kamerat e sigurisë që u publikuan më vonë treguan Hajdarin që ndjek nga pas Rashën, i cili u fut në rrugicën që lidh zonën e Laprakës me rrugën “Dritan Hoxha”.
Në orën 02:02, Hajdaraj del krah Klodianit duke i drejtuar pistoletën e shërbimit. Pas tentativës për ta kapur efektivi Nevaldo Hajdaraj rrëzohet në trotuar, kurse Klodiani vijon të vrapojë me shpinë nga efektivi. Dhe pikërisht në këtë moment, Hajdaraj ngre dorën dhe e qëllon Klodian Rashën me pistoletën e shërbimit pas shpine. Pas Hajdarajt, në vendin e ngjarjes, mbërriti dhe kolegu i tij, por Rasha ishte tashmë i plagosur. Policët njoftojnë ambulancën, por hemorragjia dhe vendi ku ishte qëlluar bënë që 25-vjeçari, origjinë nga Puka të mos mbijetonte. Ai ndërroi jetë, ndërsa ambulanca u nis drejt Spitalit të Traumës në orën 02:10 minuta e 40 sekonda. Klodian Rasha kishte mbërritur i pajetë në spital.
Nevaldo Hajdaraj u dënua me 18 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai do të kryejë 12 vite burg. Prokuroria kërkoi dënim me 20 vite burg dhe heqje të gjykimit të shkurtuar, por Apeli vendosi të rrëzonte kërkesën e mbrojtjes për heqje të akuzës për “vrasje me dashje” për shkak se u vetëmbrojt, duke u shprehur se Klodian Rasha nuk kishte armë me vete dhe nuk përbënte rrezik për jetën e efektivit Hajdaraj.




