Do të ishte e vështirë, mendonte Gabriel Garcia Marquez, të bëhej një përshtatje e duhur e veprës së tij në ekran. Sipas shkrimtarit, romani i tij i famshëm i vitit 1967 “100 vjet vetmi” do të kërkonte një kohëzgjatje prej 100 orësh dhe po ashtu të filmohej në Kolumbi, tërësisht në gjuhën spanjolle.
Netflix, ka arritur të plotësojë vetëm dy nga këto tre kushte. Ky streamer i gëzohet faktit se përshtatja e re e romanit të Marquez (i pari i bërë në ekran), është një nga prodhimet ambicioze në historinë e Amerikës Latine (ambicioz do të thotë “i shtrenjtë”, edhe pse Netflix nuk do ta zbulojë buxhetin, por pretendon se është më i madhi shpenzim i bërë ndonjëherë në rajon). 16 episode janë bërë për romanin e famshëm, me të parin të transmetuar më 11 Dhjetor.

Libri përbën një sfidë të madhe për producentët për dy arsye. Një, është statusi i këtij libri: Shumë mendojnë se “100 vjet vetmi” ishte romani më i madh i shkruar në shekullin 20. Ndihmoi Marquez-in të fitonte çmimin Nobel në Letërsi në vitin 1982 dhe ka shitur rreth 50 milionë kopje në mbarë botën. Me këtë afeksion të madh rriten edhe pritshmëritë. Kur u njoftua shfaqja televizive, me të drejtë në internet u ngrit shqetësimi dhe frika se a do të jetë filmi në lartësinë e librit.
Kompleksiteti i vetë romanit do të jetë një test më vete për producentët. I vendosur në kohë rreth viteve 1850-1950, libri gjurmon pasuritë e familjes Buendia përgjatë brezave, që nga koha kur Jose Arcadio dhe gruaja e tij, Ursula, themeluan qytetin e Macondo-s, deri në momentin që pasardhësi i tyre i fundit vdes, me luftërat civile, modernizimin, prosperitetin ekonomik dhe rrënimin në mes të ngjarjes.

Koha, në këtë rrëfenjë, është gjithashtu një element kyç me përsëritje të pashmangshme. Ka po ashtu, dukuri akoma më të pazakonta, si personazhet që vdesin, vetëm për t`u kthyer më pas në fantazma, një burrë është gjithnjë i rrethuar nga një kaleidoskop fluturash të verdha, një tjetër hap kokën e tij, e plot e plot të tjera.
Në libër, ky realizëm magjik, si u bë i njohur stili i Marquez-it, mund të jetë magjepsës. Por rreziku qëndron që mund të mos jetë aq bindës në ekran. Kur Netflix, iu afrua regjisorit Alex Garcia Lopez për projektin, ai u emocionua, por edhe frikësua. “Mbaj mend që libri kishte shumë pak dialog. Ishte një libër pak kompleks i llojit ekzistencial, dhe thashë me vete: Kjo thjesht është e pabëshme,” kujton regjisori.

Jose Rivera, një nga skenaristët, vendosi që historia të vazhdonte në mënyrë kronologjike dhe se kishte nevojë për një rrëfimtar. “Ishte një mënyrë e shkëlqyer për të na udhëhequr zëri i Gabos përmes historisë,” thotë regjisori Lopez, “e po ashtu një mënyrë për të qenë besnik ndaj librit, ekzekutimit dhe stilit të tij”.
Dhe si përfundim, producentët e filmit kanë arritur të përshtatin çuditshmërinë e historisë, në të cilën ngjarjet janë njëkohësisht të zakonshme dhe fantastike. Është ruajtur gjithashtu sensualiteti i veprës, romani rrëfen për disa incidente të incestit dhe një të pedofilisë. “Ne nuk duam të rishkruajmë historinë,” pohon Francisco Ramos, zv/President i Netflix në Amerikën Latine: “Kjo është mënyra se si kanë ndodhur gjërat”. Mbajtja e pëlqimit të Aurelianos për Remedion, një vajzë 9-vjeçare, e bën filmin më të përshtatshëm.
Për të shkruar “Njëqind vjet vetmi”, Marquez u frymëzua nga qyteti i tij i fëmijërisë Aracataca. Romani “nuk mund të ishte më specifik nëse do bazohej në një vend të madh, por për shkak të mënyrës si e tregon Marquez historinë, e bën atë të ketë rezonancë globale,” thotë Ramos.
Pothuajse 60 vjet më vonë, Netflix shpreson që kjo të jetë e vërtetë edhe për versionin në ekran të saj./TheEconomist