Në skenat e para të “Anatomy of a Fall” (Anatomia e një rënieje) të Justine Triet – e shkruar bashkë me partnerin e saj Arthur Harari – një djalosh i vogël me qenin e tij rrugës gjatë kthimit në shtëpi gjen trupin e përgjakur të të atit të shtrirë në dëborë. A u hodh apo e shtyu gruaja e tij? Kjo është pyetja, përgjigjia e së cilës merret vetëm pas 150 minutave film, por që në fakt nuk është as thelbi i këtij filmi.
“Anatomy of a Fall” ka më shumë të bëjë me anatominë e një çifti dhe djalit të tyre. Filmi, i cili ndërthur procedurat e sallës së gjyqit me terapinë e çifteveve, dramën familjare dhe elementë thriller, ka qenë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare që kur u shfaq për herë të parë në Kanë në maj të vitit 2023.
Atje, regjisorja Triet fitoi Palme d`Or, që u ndoq nga 7 nominime Bafta dhe 5 Oscars, përfshi regjinë më të mirë, skenarin origjinal më të mirë si dhe aktoren kryesore në të dy kategoritë.
Sandra pret shkurt intervistën
Skena: Shkrimtarja gjermane Sandra Voyter (Sandra Hüller) shijon momentin duke pirë verë ndërsa intervistohet nga një gazetare (Camille Rutherford) në shtëpinë e saj komode në Alpet Franceze. Burri i i Sandrës fillon të ngrejë në kupë të qiellit një këngë të 50 Cent “P.I.M.P.”, duke e detyruar Sandrën të ndërpresë intervistën.

Justine Triet: “Kjo skenë ishte më e ndërlikuara për t’u filmuar nga pikëpamja teknike. Është gjithashtu e vetmja skenë që na është dashur të xhirojmë dy herë sepse nuk ka funksionuar herën e parë. Inxhinieri ynë i zërit e shpërtheu muzikën me zë të lartë, më pas e fiku pas disa sekondash.
Ne gjithashtu duhej të koordinonim të gjithë elementët e ndryshëm në të njëjtën skenë që nuk i xhiruam domosdoshmërisht në të njëjtën ditë – fëmija lart në katin e parë, Sandra dhe gazetarja poshtë – kështu që duhej të punonim me gjithçka. Ne gjithashtu duhej të gjenim ekuilibrin e duhur për sa i përket sasisë së pirjes së Sandra dhe nivelit të saj të joshjes.
Është e pamundur që publiku të dijë se çfarë po ndodh kur fillon filmi. Se kush është kjo grua dhe si është jeta e saj do ta kuptojmë më vonë, por në këtë moment, gjithçka duhej të ishte misterioze. Kjo skenë ishte kaq e ndërlikuar sepse është shumë e çuditshme. Ne nuk e dimë ende se cilët janë këta njerëz, cila është çështja. Është një skenë shumë e çuditshme në shumë mënyra.
Është një film për perceptimin, distancën dhe realitetin. Publiku nuk është kurrë në një distancë të përshtatshme nga personazhet – ne jemi ose shumë afër ose shumë larg. I gjithë filmi është një ekuilibër midis të qenit afër – pothuajse shumë afër – me këtë çift, ndarjes së marrëdhënies së tyre dhe më pas pranise së njerëzve që janë shumë larg situatës në sallën e gjyqit duke u përpjekur ta analizojnë atë.
P.I.M.P.” nuk ishte zgjedhja jonë e parë për këngën. Ishte menduar të ishte ‘Jolene’ e Dolly Parton, por ekipi i saj nuk na dha të drejtat. Madje kishim shkruar një dialog specifik për skenat e mëvonshme të sallës së gjyqit që analizonin tekstin e asaj kënge, si “ju lutem mos ma merr njeriun tim”, që duhej të hiqnim qafe. Unë e kisha këtë version pa tekst të “P.I.M.P.” në kompjuterin tim. Është kaq e zhvendosur për sa i përket asaj që po ndodh në vetë skenën. Është shumë lozonjare,”.
Sandra përgatit përgjigjet e saj për gjyqin
Skena: Sandra përgatitet për gjyqin me avokatin e saj (Swann Arlaud), i cili po e filmon me një videokamerë. Ajo flet për burrin e saj Samuelin dhe se si gjërat ndryshuan mes tyre kur djali i tyre Daniel pati një aksident që e la atë pjesërisht të verbër.

Triet: “Kjo është një nga skenat që më pëlqen më shumë. Është një nga skenat e para me Sandrën ku ajo po ekspozohet vërtet, ku po shprehet dhe në fakt flet. Në fakt, ne nuk arrijmë ta njohim atë për rreth 50 minutat e para të filmit. Ajo është dikush shumë abstrakte, flet shumë pak, pastaj e shohim në këtë skenë duke recituar atë që është pothuajse një monolog që zgjat disa minuta. Ajo flet për mënyrën se si u takua për herë të parë me Samuelin, e cila është një skenë që është shumë e rëndësishme për filmin, pasi ne ‘takojmë’ këta dy njerëz që do të kemi nevojë t’i gjykojmë më vonë. Ne si spektatore i gjykojmë edhe pa hyrë në sallën e gjyqit.
Kjo skenë është momenti kur publiku kupton se do të jetë e vështirë të gjykohet kjo grua, sepse ajo është shkrimtare, zoteron artin për të treguar histori. Ajo duhet të jetë në gjendje të thotë, ‘Kjo është historia ime dhe ju duhet të më besoni mua.’ Ajo gjithashtu duhet ta bëjë atë në anglisht, që nuk është gjuha e saj amtare. Këtu mund të shohim se ajo është në gjendje të manipulojë duke treguar historinë e saj të jetës në avantazhin e saj, por në të njëjtën kohë, mund të shohim se është shumë emocionuese.
Në fund të kësaj skene ajo – dhe ne si audiencë – kuptojmë se situata është vërtet e tmerrshme, se ajo që do të vijë do të jetë një makth. Sandra i kërkon avokatit të saj që të mos njollosë imazhin e burrit që ajo e donte dikur dhe ai thotë se do të përpiqet, por ata – dhe ne – e dinë se çështja do të jetë shumë e dhunshme.
Kjo skenë është jashtëzakonisht komplekse. Kjo është arsyeja pse e dua shumë. Ne mësojmë se kush është kjo grua, por nuk e njohim vërtet. Kur ajo fillon të flasë për aksidentin e djalit të saj, ne pyesim veten nëse ajo është në të vërtetë kaq perverse sa është në gjendje të derdhe lot për të treguar sesi dëmtimi i shikimit i djalit të saj ka ndikuar tek ajo vetëm për të fituar çështjen, apo nëse ajo po përjeton vërtet një emocion të tillë.
Publiku identifikohet me të sepse ajo nuk është perfekte, por është e vërtetë. Ajo nuk është një heroinë, por ajo nuk është as një viktimë e përsosur.”
Zbulohet zënka mes Sandra-s dhe Samuel-it
Skena: Salla e gjyqit dëgjon një regjistrim audio të një përleshjeje mes Sandra-s dhe burrit të saj (Samuel Theis) një ditë para se të vdiste – një skenë e shfaqur para audiencës, por e dëgjuar vetëm në gjykatë.

Triet: “Kjo skenë është e shkruara më saktë nga gjithçka që kemi xhiruar. Ne kemi shkruar të paktën 30 versione të ndryshme vetëm për këtë skenë. U shkrua, pastaj u rishkrua, pastaj u rishkrua, pastaj u përkthye në anglisht, pastaj nuk më pëlqeu përkthimi në anglisht, pastaj shtuam titrat në frëngjisht dhe më pas kuptuam se gjërat nuk funksionuan, kështu që rishkruam përsëri. Isha e fiksuar pas çdo fjale.
Përkthimi shpesh ishte më pak origjinal në anglisht, kështu që ndonjëherë duhej më shumë kohë për të gjetur fjalët e sakta. Kaluam orë të tëra duke debatuar disa fraza. Ne folëm kryesisht anglisht në xhirime. Sandra shpesh më përgjigjej në frëngjisht, por u kërkova të gjithëve të flisnin në anglisht. Më duhej t’i kërkoja trajnerit të gjuhës së Sandrës një listë me më shumë mbiemra në një moment, në mënyrë që të mund të përshkruaj më mirë atë që kërkoja.
Skena zgjat 10 minuta – është shumë e gjatë. Fundi i skenës është mjaft i dhunshëm për sa i përket zërit që dëgjon salla e gjyqit. Fillimisht kishim shtuar disa fjalë si ‘drop dead’, por aktorët ndryshuan disa gjëra. Përveç dialogut, kemi kaluar orë të tëra duke folur për vendosjen e trupave të aktorëve. Ne vendosëm që ata ta nisnin fizikisht larg – ai është në banak dhe ajo në tavolinë duke ngrënë spageti dhe, ndërsa skena vazhdon, ata afrohen gjithnjë e më shumë me njëri-tjetrin.
Ne përdorëm dy kamera për ta xhiruar – gjë që është e rrallë për mua, por aktorët ishin në një gjendje kaq të fortë emocionale, sa duhej të kishim shumë materiale për të nxjerrë. Na u deshën dy ditë për të xhiruar këtë skenë. Ishte më i ndërlikuari nga pikëpamja emocionale dhe shumë i lodhshëm fizikisht për aktorët – ata ishin të rraskapitur.
Sfida më e madhe ishte realizimi i një filmi jashtëzakonisht personal për një familje dhe një çift. Mbi të gjitha, për të bërë pyetjen, çfarë do të thotë të jetosh së bashku në reciprocitet? A është e mundur që një çift të jetojë së bashku dhe të dy të ndihen të përmbushur?
Danieli jep dëshmi vendimtare
Skena: Djali i tyre, Daniel (Milo Machado Graner) po dëshmon për herë të dytë në sallën e gjyqit. Ai përshkruan një bisedë që kishte me babanë e tij, e cila paraqet një skenë në makinë; ne shohim babanë e tij duke i folur, por dëgjojmë zërin e Danielit.

Triet: “Kjo ishte ndër ditët më të vështira të xhirimeve. Është kur personazhi i Milo synohet të pësojë një ndryshim në perspektivë ndërsa ai kthehet për të dëshmuar. Ne e filmuam këtë skenë gjatë gjithë ditës. Ne bëmë 70 dubla të ndryshme. Pas rreth 45 prej tyre, mund të them se Milo nuk ishte rehat. Fillova të frikësohesha – thashë: “Kjo nuk po funksionon”.
Për hir të Milos, u përpoqa të fsheh zhgënjimin tim edhe pse skena nuk ishte ajo që kisha imagjinuar. Ekipi më shikonte si: “Çfarë do të bëjmë?” E kisha problem t’i shpjegoja Milo-s se çfarë kërkoja.
Më në fund, diçka klikoi. Pas orësh e orësh xhirime, pushoi, hengri dhe u kthye në skene dhe aktroi. Në atë moment, pashë një pjekuri tjeter mbi të. Ka diçka tek ai që është e ndryshme nga fëmijët e tjerë – ai është obsesiv dhe gjithmonë kërkon një mënyrë tjetër për të bërë diçka, për ta bërë atë më mirë.
Ishte e rëndësishme për mua që skenat e sallës së gjyqit të ishin realiste. Kur isha në mesin e të 20-ave, kaloja shumë kohë në sallat e gjyqit, bëja dokumentarë, kështu që isha afër kësaj bote dhe shikoja rastet të shpalosen në kohë reale. Ajo që jemi mësuar të shohim në sallat e trilluara të gjyqit është shumë më ndryshe nga realiteti, ndaj doja të tregoja diçka më të rrëmujshme, jo aq simetrike, shumë më tepër si mënyra se si funksionon sistemi i drejtësisë në Francë, e cila është më e lirë
Kjo është një skenë kyçe. Filmi flet po aq për këtë grua në gjyq, aq edhe për djalin e saj, i cili do të duhet të mësojë të jetojë me dyshime për pjesën tjetër të jetës së tij”.
“Të rritesh do të thotë të pranosh atë që nuk e di me siguri dhe të ecësh përpara gjithsesi”