Ishte viti 1996 kur Janet Murgatroyd u rrah, u sulmua seksualisht dhe u la të vdiste në bregun e një lumi pas një nate argëtimi. E vrasësi i 20-vjeçares ende nuk është identifikuar.
E teksa kanë kaluar 30 vite nga ‘vrasja e saj brutale’, policia shpreson që xhinset dhe të brendshmet e zhdukuara të Janet mund të mbajnë çelësin për zbulimin e autorit.
Mediat e huaja shkruajnë se, shoqja e saj më e ngushtë, Fiona Watson, dhe nëna e Janet-it, Mary, po kërkojnë që vrasësi të vihet para drejtësisë.
“Edhe pas 30 vitesh, kjo ngjarje është ende aty, vazhdon të të përndjekë. Po ashtu edhe ndikimi që ka pasur në jetën e të gjithëve. Edhe sot vazhdon të ndikojë, sepse nuk mund të gjesh paqe pa e ditur se çfarë i ndodhi asaj. Ky person është ende i lirë, jeton mes komunitetit. Dhe kjo është shqetësuese. Njerëzit duhet të shqetësohen për këtë”, ka thënë Fiona, e cila kishte qenë me 20-vjeçaren teksa pinin në lokalet e Prestonit atë natë fatale.
Sipas Fiona-s, autori po jeton jetën që asaj iu mohua, jetën që nuk arritën t’a jetonin nëna e saj, babai i saj dhe as ajo si shoqe.
“Sepse kjo ngjarje më ndryshoi përtej çdo imagjinate dhe unë nuk e gjeta më kurrë personin që isha më parë.” Vetëm 20 vjeçe, “me gjithë jetën përpara”.
Janet studionte në universitet dhe punonte me kohë të pjesshme në selinë e Policisë së Lancashire. Vonë në mbrëmjen e së shtunës, më 15 qershor 1996, ajo shkoi në një pub së bashku me Fiona-n dhe më pas u largua me një djalë të ri me të cilin kishte biseduar gjatë mbrëmjes, duke u drejtuar për në qendrën e qytetit. Më pas, të dy u ndanë dhe Janet u pa në Urën Penwortham, e cila kalon mbi lumin Ribble midis Prestonit dhe Penworthamit, në qarkun e Lancashire.
Dy dëshmitarë, të cilët po ktheheshin në shtëpi pas një nate argëtimi, dëgjuan britmat e një gruaje dhe panë një burrë të ulur pranë bregut të lumit. Më 16 qershor 1996, trupi i Janet-it u gjet në lumin Ribble. Besohet se ajo qëndroi pa ndjenja për orë të tëra përpara se të merrej nga batica e lumit, ku fatkeqësisht u mbyt.
Andrew Greenwood u shpall fajtor për vrasjen pa paramendim të Janet-it, por dënimi i tij u rrëzua më vonë nga gjykata e apelit në vitin 2004. Policia e Lancashire po rinovon apelin e saj për publikun që të dalë me informacione, duke u fokusuar te fakti që xhinset dhe të brendshmet e Janet-it nga ajo natë nuk janë gjetur ende.
Një raport erdhi nga disa fëmijë për rroba të gjetura pranë bregut të lumit, por kur policia mbërriti, ato kishin zhdukur.
Nëna e Janet-it, Mary, e cila po lutet që kërkimi i familjes për drejtësi prej dekadash të marrë fund, tha:
“Janet Murgatroyd, fëmija im i vetëm, u vra brutalisht 30 vite më parë. Autori është ende i lirë; dikush e di kush është ky burrë.
Janet po kthehej në shtëpi pas një dite feste me shoqen e saj, pasi kishin blerë bileta për një udhëtim jashtë vendit. Nuk gjeti taksi, ndaj filloi të ecte në këmbë drejt Penwortham.
Kam nevojë për mbyllje (qetësi), kjo ende po ndikon tek unë dhe vëllezërit e motrat e mia. Vrasësi duhet të ndëshkohet.”
Fiona shtoi: “Ne ishim të rinj, plot energji dhe entuziazëm për jetën. Ajo ishte serioze për studimet dhe punën e saj, donte të arrinte diçka.
Edhe pse dilnim, nuk dilnim gjithmonë. Ajo ishte një 20-vjeçare e zakonshme, me gjithë jetën përpara dhe me ëndrra.”
Crimestoppers po ofron një shpërblim deri në 20,000 paund për informacion që çon në arrestimin dhe dënimin e vrasësit të Janet-it.
DCI Bryony Midgley nga Ekipi i Rishikimit të Krimeve të Rënda tha:
“Kanë kaluar 30 vite që nga vrasja e Janet-it, por ne jemi ende të vendosur të sjellim drejtësi për të dhe familjen e saj. Teknologjia e ADN-së dhe metodat shkencore kanë avancuar ndjeshëm gjatë këtyre 30 viteve, ndaj shpresojmë t’i përdorim këto në hetim.
Ne vazhdojmë të apelojmë për informacione. Mund të jetë që keni parë diçka atë natë ose keni informacion që nuk e keni raportuar në 1996 ose më pas.”



