Në Britani ka dalë në dritë një rast tronditës abuzimi seksual. Një grua ka zbuluar momentet e tmerrit që ajo pretendon se i ka duruar për vite me radhë nga ish-bashkëshorti i saj dhe burra të tjerë.
Gruaja, emri i së cilës nuk është bërë i ditur por që përdor pseudonimin “Lucy”, foli për “ITV News” dhe përshkroi momentin kur u zgjua në mes të natës dhe pa një të huaj duke e përdhunuar , ndërsa burri i saj ishte në të njëjtën dhomë duke e parë.
“U zgjova dhe pashë një të huaj sipër meje duke më përdhunuar, ndërsa im shoq po më shikonte”, tha ajo. Sipas saj, burri u largua menjëherë kur ajo u zgjua. Më pas, gruaja u mbyll në dhomën e fëmijëve dhe telefonoi babain dhe policinë.
Sipas dëshmisë së saj, bashkëshorti e drogonte sistematikisht pa dijeninë e saj. Fillimisht, ai përdorte pilula gjumi dhe më vonë lëng për pastrimin e makinave.
Ajo përshkroi se për vite me radhë kishte pasur probleme serioze shëndetësore, pa e ditur shkakun:
“Zgjohesha dhe ndieja dhimbje në pjesë të ndryshme të trupit tim. Pyesja veten pse kisha qenë kaq e sëmurë për vite me radhë. Shikoja foto të vjetra dhe nuk e njihja veten”.
Gjendja e saj shëndetësore, siç tha ajo, ishte përkeqësuar në një masë të tillë sa shumë herë nuk mund të ngrihej nga shtrati apo të pinte ujë.
Ndërkohë pas arrestimit të tij, burri dyshohet se pranoi në telefonatat e burgut se kishte ftuar vazhdimisht burra të tjerë në shtëpinë e tyre për të abuzuar me gruan ndërsa ajo ishte pa ndjenja.
“Kjo ka ndodhur tetë herë të tjera. Nuk është hera e parë”, dyshohet se i tha ai asaj. “Lucy” beson se sulmet mund të kenë qenë shumë më tepër, pasi, siç pretendoi ajo, provat nga e-mailet dhe të dhënat e tjera sugjerojnë se abuzimi mund të ketë vazhduar për një periudhë të gjatë kohore.
“Nëse ai më drogonte dy ose tre herë në javë për një vit dhe kjo do të vazhdonte për vite me radhë, atëherë burrat e përfshirë mund të ishin qindra”, tha ajo.
Pavarësisht se ish- burri i saj u dënua me 15 vjet burg, gruaja pretendon se çështja nuk është mbyllur, pasi kërkon që të identifikohen burrat e tjerë që dyshohet se kanë marrë pjesë në sulme. Ajo shprehu zhgënjimin e saj me mënyrën se si u hetua çështja, duke pretenduar se policia nuk mori gjurmët e gishtërinjve nga shtrati ku ndodhën sulmet, pavarësisht faktit se ata e dinin se një person i panjohur kishte hyrë në shtëpi.
Siç tha ajo, vite më vonë, materiali gjenetik u gjet nga më shumë njerëz, por disa mostra mbeten të paidentifikueshme.
“Çdo ditë eci në rrugë dhe pyes veten nëse njëri prej tyre është pranë meje. Nëse dikush më shikon pak më gjatë, mendoj se ndoshta është njëri prej tyre”, tha ajo.
Departamenti i policisë që trajtoi rastin tha se hetimet po vazhdojnë për të identifikuar çdo autor tjetër.
“Një burrë është dënuar me një dënim të konsiderueshëm me burg për krimet që kreu kundër viktimës, megjithatë hetimet tona janë duke vazhduar dhe ne mbetemi të vendosur të identifikojmë këdo tjetër të përfshirë në rast”, tha ai në një deklaratë.




