Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka paralajmëruar Iranin me sulme edhe më të ashpra, pasi tre anije amerikane u vunë nën “zjarr armik” dhe iu përgjigjën sulmeve në kuadër të “vetëmbrojtjes”.

“Në të ardhmen, ne do t’i godasim ata shumë më fort dhe shumë më dhunshëm nëse nuk e nënshkruajnë Marrëveshjen e tyre shpejt”, deklaroi Trump, duke rritur tonet ndaj Teheranit mes tensioneve në rritje në Lindjen e Mesme.

Megjithatë, pavarësisht shqetësimeve të komunitetit ndërkombëtar për një përshkallëzim të konfliktit, presidenti amerikan u përpoq të japë sinjale qetësuese lidhur me situatën diplomatike.

I pyetur nëse sulmet e fundit nënkuptojnë fundin e armëpushimit me Iranin, Trump u përgjigj shkurt: “Jo, armëpushimi vazhdon. Ai mbetet në fuqi”.

Deklaratat e tij vijnë në një moment tensionesh të larta mes SHBA dhe Iran, ndërsa frika për destabilizim të mëtejshëm në rajon mbetet e lartë.