Detaje të reja janë zbardhur nga skandali që ka përfshirë agjencinë shtetërore britanike BBC, pasi një prezantues i njohur u akuzua se ka paguar një minorene që ajo t’i dërgonte fotot nudo.

Tashmë është bërë publik emri i prezantuesit, i cili raportohet se është Huw Edwards. Lajmi është konfirmuar nga bashkëshortja e tij, e cila ka deklaruar se 61-vjeçar ka përfunduar në spital pas publikimit të skanadlit. Në një deklaratë, ajo shprehet se Edwards vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe ngjarjet e fundit e kanë përkeqësuar gjendjen e tij.

“Huw vuan nga probleme serioze të shëndetit mendor. Siç është dokumentuar mirë, ai është trajtuar për depresion të rëndë vitet e fundit. Ngjarjet e ditëve të fundit i kanë përkeqësuar shumë gjërat, ai ka pësuar një tjetër episod serioz dhe tani po merr kujdes spitalor në spital ku do të qëndrojë për të ardhmen e parashikueshme”- thuhej në deklaratë.

Më tej, ajo shprehet se shpresonte se konfirmimi i identitetit të Edwards do t’i jepte fund spekulimeve për prezantuesit e BBC-së që nuk kanë lidhje me akuzat. Gruaja bëri thirrje për privatësi në emër të familjes së tyre dhe tha se ishte e dokumentuar publikisht se Edwards kishte vuajtur më parë probleme të shëndetit mendor.