Presidenti i qeverisë spanjolle, Pedro Sanchez, Ministria spanjolle e Mbrojtjes dhe baza ajrore Torrejón de Ardoz ishin marrësit e tre letrave-bomba, përveç dy të dërguara dje, një në ambasadën e Ukrainës në Spanjë dhe tjetra tek një kompani armësh që prodhon raketahedhëse që i janë dhuruar Kievit.

Shërbimet e Departamentit të Sigurisë zbuluan më 24 nëntor një dërgesë postare të dyshimtë. Bëhej fjalë për një dosje drejtuar Sanchez-it, e cila ishte dërguar me postë të rregullt, bën me dije Ministria e Brendshme spanjolle në një deklaratë.

Ndërkohë, po sot në Ministrinë e Mbrojtjes ka mbërritur një letër me eksploziv. Gjithashtu organet e rendit gjetën një mjet shpërthyes të fshehur në një paketë të dërguar me postë në bazën ajrore Torrejón de Ardoz jashtë Madridit, shkruan gazeta El Mundo.

Në incidentin e parë, një oficer i ambasadës së Ukrainës në Madrid u lëndua kur hapi pakon dhe Kievi urdhëroi rritjen e masave të sigurisë në të gjitha përfaqësitë jashtë vendit.

“Policia u informua rreth orës 13:00 (13:00 me orën lokale të Shqipërisë) për një shpërthim brenda ambasadës së Ukrainës në Madrid. Kjo ka ndodhur teksa një punonjës i ambasadës po hapte një letër”, njoftoi policia spanjolle.

Letra, e cila mbërriti me postë të rregullt dhe nuk u skanua, i shkaktoi “një plagë shumë të vogël” në gisht kur oficeri e hapi atë në oborrin e ambasadës, tha Mercedes Gonzalez, një zyrtare e qeverisë spanjolle.