Presidenti i SHBA-së, Donald Trump publikoi sërish një foto me inteligjencë artificiale në platformën e tij të mediave sociale, Truth. Në foton e publikuar shihen avionë luftarakë amerikanë duke bombarduar anije me flamur iranian, në Ngushticën e Hormuzit. Mbi foton, presidenti amerikan shkruan gjithashtu fjalën ‘Adios’, që do të thotë mirupafshim.

Presidenti amerikan Donald Trump kishte deklaruar më parë se negociatat për programin bërthamor iranian ishin një nga kushtet kryesore dhe të domosdoshme për çdo marrëveshje. Megjithatë Irani nuk ka marrë asnjë angazhim dhe çështja bërthamore nuk është diskutuar aspak në këtë fazë.

Për Teheranin ende mungon dakordësia për disa pika dhe nëse SHBA vazhdon të krijojë pengesa do të jetë e vështirë të arrihet një marrëveshje përfundimtare. Agjencia iraniane e lajmeve Tasnim citon burime sipas të cilave mungon ende marrëveshja për dy ose tre klauzola të protokollit midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara. Burimet po ashtu deklarojnë se nëse SHBA “vazhdojnë të krijojnë pengesa nuk do të ketë mundësi për një marrëveshje përfundimtare.”