Një nënë 41-vjeçare e akuzuar për braktisjen e dy djemve të saj të mitur po mbahet në një burg ‘të ashpër’ për gra, ku të burgosurat vënë zjarre të qëllimshme.
Marine Rousseau dhe partneri i saj Marc Ballabriga, 55 vjeç, po përballen me akuza për rrezikim dhe braktisje pasi një djalë pesëvjeçar dhe vëllai i tij trevjeçar u gjetën përgjatë një rruge rurale në Monte Novo do Sul, një rajon i izoluar midis Comporta dhe Alcacer do Sal në Portugali.
Zyrtarët kanë deklaruar se të miturit janë gjetur me sy të lidhur në pyll, pranë një stacioni autobusi të braktisur. Ata kishin me vete vetëm disa copa frutash dhe një shishe uji.
Ishte një bukëpjekës vendas që i pa fëmijët dhe menjëherë kontaktoi policinë. Kjo e fundit i ka lënë të vegjlit në një familje kujdestare derisa mund të kthehen në Francë.
Çifti u arrestua nga Garda Kombëtare Portugeze të enjten, ndërsa ishin ulur ‘qetësisht’ në një tarracë kafeneje pranë qytetit të pelegrinazhit të Fatimës, afërsisht 190 kilometra nga vendi ku u zbuluan të rinjtë.
Ndërkohë një gjyqtar që hetoi ngjarjen, urdhëroi paraburgimin e 41-vjeçares në burgun e grave Tires, i vendosur afërsisht 19 kilometra në perëndim të Lisbonës, raporton “Mirror”.
Objekti famëkeq mban disa qindra të burgosura, të përfshirë të paraburgosurat dhe kriminele të dënuara, si dhe merret me shumë nga çështjet më serioze penale të Portugalisë. Ai gjithashtu ka një histori problemesh sigurie, të cilat i kanë vënë në rrezik si të burgosurat ashtu edhe stafin.
Vitin e kaluar, një e burgosur i vuri qëllimisht flakën qelisë së saj dhe si pasojë u shtruan në spital pesë oficere femra për shkak të tymit. E burgosura në fjalë ishte transferuar së fundmi në Tires pas përfshirjes së saj në sulme të mëparshme në një institucion tjetër.
Gjatë së njëjtës periudhë, transmetuesi portugez RTP raportoi dy mbidoza të dyshuara droge në objekt, njëra prej të cilave çoi në vdekjen e një të burgosure. Drejtori i burgut u shkarkua pas këtyre raportimeve dhe nisi një hetim.
Sindikatat dokumentuan gjithashtu më shumë se një duzinë sulmesh ndaj rojeve nga të burgosurat në vitin 2024. Incidente të tjera në objekt përfshijnë një shpërthim të madh të Covid-19 në vitin 2020 që infektoi mbi 120 të burgosura, së bashku me vdekjet e të burgosurve në qelitë e tyre gjatë viteve 2018 dhe 2021.
Ndërkohë Rousseau do të mbetet në Tires deri në seancën e saj të ardhshme gjyqësore. 41-vjeçarja, e cila u nda nga babai i djemve disa vite më parë, e shet veten në internet si një “seksologe” që mund të ndihmojë “të gjithë njerëzit që kanë pësuar trauma të rifitojnë qetësinë dhe kënaqësinë seksuale”.


