Policia portugeze ka arrestuar të enjten nënën e dy djemve të mitur francezë, të cilët u gjetën të braktisur pranë një rruge kryesore në jug të vendit.

Djemtë, të moshës 4 dhe 5m vjeç, u shpëtuan të martën nga një shofer kalimtar pranë qytetit turistik të Comporta. Fëmijët ishin vetëm dhe duke qarë. Ata kishin mbetur me çanta shpine që brenda kishin ushqim dhe ujë, por pa dokumente identiteti, shkruajnë mediat portugeze.

Policia vendase ka njoftuar se menjëherë nisi kërkimi për nënën e të miturve dhe e arrestuan atë në qytetin qendror të Fatima, së bashku me një burrë 55-vjeçar, me akuzën për abuzim, rrezikim dhe braktisje.

Fëmijët u raportuan të zhdukur nga qyteti i tyre i lindjes, Colmar, në Francën lindore, nga babai i tyre rreth 10 ditë më parë.

Pasi i gjeti fëmijët, shoferi Alexandre Quintas i çoi ata në një furrë buke të drejtuar nga familja e tij përpara se të njoftonte autoritetet përkatëse.

“Ne i pyetëm nëse u pëlqente akullorja”, tha Quintas për faqen online “Observador”, duke shtuar:

“Dhe u dhamë diçka për të ngrënë dhe disa lodra që t’i mbanim të zënë.”

Nëna e tij, Eugenia Quintas, tha se një mjeke lokale që fliste frëngjisht i kishte mundësuar të flisnin me dy djemtë.

“Ata thanë se kishin mbërritur me makinë dhe kishin dalë në një vend me shkurre, një pyll, siç e quante më i madhi”, i tha ajo agjencisë së lajmeve AFP.

Eugenia tha se njëri nga djemtë tregoi se u ishin lidhur sytë dhe u ishte thënë të kërkonin një lodër të fshehur dhe kur i hoqën lidhëset e syve, nëna dhe makina e saj ishin zhdukur.

“Me vete kishin nga një portokall, një dardhë dhe një shishe me ujë secili. Nuk pamë asnjë shenjë keqtrajtimi”, tha ajo.

Prokurori francez, Jean Richert, tha se familja e gruas e kishte raportuar atë të zhdukur më 11 maj dhe se ishte nisur një hetim gjyqësor për të hetuar rrethanat.