Një vrasës famëkeq fëmijësh u godit me thikë mbi 30 herë në një sulm katër-minutësh në qelinë e burgut – përpara se të vendosej në shtrat “sikur të flinte”, dëgjoi një gjykatë.

Është fjala për Kyle Bevan, 33 vjeç, i cili vdiq nga gjakderdhja në qelinë e tij në burgun e sigurisë maksimale HMP Wakefield nëntorin e kaluar.

Mediat e huaja shkruajnë se ai po vuante burgim të përjetshëm për vrasjen e vajzës 2-vjeçare të partnerit të tij, Lola James, në një sulm brutal që e la atë me 101 lëndime.

Ndërkohë gjykata e Kurorës në Leeds dëgjoi se Bevan u ndoq në qelinë e tij nga të burgosurit e tjerë Lee Newell, 57 vjeç, Mark Fellows, 45 vjeç, dhe David Taylor, 63 vjeç.

Treshja doli nga vendi i ngjarjes pas 4 minutash e 39 sekondash, duke shfaqur “një lloj kënaqësie dhe ndjesinë se e kishin përfunduar punën”, u tha në gjykatë.

Zemra dhe enët e mëdha të gjakut të viktimës ishin prerë me thikë, ndërsa një nga plagët kishte depërtuar deri në kockë, u informuan anëtarët e jurisë.

Anëtarët e jurisë u informuan se më vonë u gjet një copë metali e palosur me gjak të Bevan-it mbi të, e cila ishte improvizuar nga një pjesë e një televizori.