Një ngjarje e rëndë raportohet të ketë ndodhur në Greqi. Persona ende të paidentifikuar kanë thyer varrezat e 3-ta të Athinës dhe kanë hequr eshtra, pasditen e së hënës, më 7 nëntor.

Në mënyrë të veçantë, sipas EL.AS-it, autorët kanë thyer dyzet varre dhe kanë hequr eshtrat.

Sipas vlerësimeve të policisë, autorët ose kanë dashur të heqin dhëmbët e arit, ose i kanë përdorur eshtrat për ceremoni të ndryshme. Për ngjarjen po kryhet një hetim paraprak.

Ngjarjet e rënda në lidhje edhe me shqiptarët nuk kanë munguar. Vetëm pak ditë më parë u raportua se në Greqi, një shtetas shqiptar ishte masakruar dhe varrosur në një zonë plazhi. Ndërkohë ditën e sotme, u zbardhën detaje të reja nga mediat greke, të cilat zbuluan se grabitja mund të jetë shkaku kryesor i krimit të rëndë.

Deri më tani në pranga kanë rënë dy 30-vjeçarë, një shqiptar dhe një greke, ndërsa është shpallur në kërkim autori i tretë. Dy të arrestuarve iu gjetën gjithsej 5300 euro, të cilat dyshohet se vijnë nga grabitja e viktimës. Ndaj dy të arrestuarve është ngritur një hetim për vrasje dhe grabitje. Të arrestuarit me dosjen e ngritur në ngarkim të tyre u dërguan në prokurori, ndërsa hetimet e policisë vijojnë nga Drejtoria e Sigurimit të Kalamatës.

Sipas ekspertizës autorët e kanë goditur shqiptarin me sende të forta në kokë. Më pas e varrosën për të fshehur krimin.