Një rast i pa precedentë ka ndodhur në Indi, ku policia ka humbur 200 kg kanabis të sekuestruar nga trafikantët dhe të mbajtur në stacionet e policisë.

Më interesant ishte fakti se si  uniformat blu e justifikuan humbjen e lëndës narkotike.  Kur gjykata u kërkoi policëve drogën si provë ata i thanë se 195 kg kanabis ishin shkatërruar nga minjtë. Për të mbështetur këtë version policët përmendën tre raste në të cilat marijuana u asgjësua nga brejtësit.

Në një rast tjetër ku ishin sekuestruar 386 kg drogë, policia tha se “një pjesë” e kanabisit ishte “ngrënë nga minjtë”.

Pas kësaj gjykatësi tha se policia nuk kishte ekspertizë për t’u marrë me këtë çështje pasi minjtë ishin “shumë të vegjël”. Sipas tij mënyra e vetme për të mbrojtur mallrat e sekuestruara nga “minj të tillë të patrembur” është shitja në laboratorët e përpunimit dhe firmat e mjekësisë që të ardhurat t’i shkojnë qeverisë.

Në vitin 2017, policia në shtetin lindor indian të Biharit kishte fajësuar minjtë për konsumimin e mijëra litrave alkool të konfiskuar, një vit pasi shteti ndaloi shitjen dhe konsumimin e alkoolit. Në vitin 2018, teknikët që mbërritën për të rregulluar një makinë parash që nuk funksiononte në shtetin e Assam zbuluan se kartëmonedhat me vlerë më shumë se 1.2 milion rupi (14,691 dollarë; 12,143 £) ishin copëtuar dhe fajtorët e dyshuar ishin minjtë.