Një burrë që ishte shpallur i vdekur është kthyer sërish në spital pasi punonjësit e shtëpisë funerale vunë re se ai ende merrte frymë.
Juraci Rosa Alves u dërgua në spital të shtunën (16 maj) ku një mjek e shpalli të vdekur për shkak të dështimit të frymëmarrjes. Më pas u kontaktua një shtëpi funerale dhe 88-vjeçari u transportua atje për procedurat rutinë pas vdekjes.
E teksa stafi po përgatiste trupin për varrimin, ata zbuluan shenja, raporton “NeedToKnow”.
“Stafi ynë funeral e kreu transferimin si një procedurë standarde. Kur mbërritën në laborator dhe e vendosën në tavolinë, ata vunë re lëvizje të pazakonta në bark dhe nuk ishin të sigurt nëse po merrte frymë. Në fillim, kur kuptuam se kishte shenja jetësore, mendimi ynë i vetëm ishte t’a shpëtonim. Kështu që unë kreva kujdesin fillestar, duke u përpjekur t’i liroja rrugët e frymëmarrjes derisa mbërritën shërbimet e urgjencës.
Gjithçka ndodhi shumë shpejt – kur mbërritën, mjeku menjëherë filloi t’a qetësonte dhe t’a intubonte në mënyrë që të mund të dërgohej në qendrën e kujdesit shëndetësor”, ka thënë për shtypin lokal mbikëqyrësja teknike e infermierisë në shtëpinë funerale.
Alves u dërgua me urgjencë në një spital në Brazil, ku qëndroi deri në përditësimin e fundit dje (18 maj).
Një anëtar i familjes i tha medias lokale:
“Tezja ime kishte shkuar në shtëpi për të përgatitur dokumentet dhe rrobat që gjyshi im do të vishte për varrimin. Kur mbërritën atje, tezja ime dhe kushëriri im menduan se vonesa dukej e çuditshme.
Pastaj kushëririt tim iu tha se ishte çuar në shtëpinë e varrimit për të përgatitur trupin dhe, sapo mbërritën atje, stafi i shtëpisë së varrimit vuri re shenja jetësore – ai po merrte frymë dhe lëvizte”.
Policia u njoftua dhe e ka regjistruar rastin si “mosdhënie ndihme”. Ata nuk e kanë zbuluar identitetin e mjekut që e shpalli të vdekur Alves.
Alves, një banor i Emilianopolis, mbetet në mbështetje jetësore në kujdesin intensiv në një gjendje të rëndë por të qëndrueshme.
Avokati i familjes së tij, Carlos Alberto Carneiro, u tha mediave lokale:
“Sipas spitalit që aktualisht po trajton z. Juraci, situata mund ta ketë përkeqësuar gjendjen e tij për shkak të moshës dhe kohës që kaloi pa kujdesin dhe trajtimin e duhur”.
Nga ana tjetër, spitali që e shpalli të vdekur 88-vjeçarin, ka deklaruar se do të nisë një hetim të brendshëm për incidentin në fjalë dhe se është i ‘disponueshëm për të dhënë çdo sqarim të nevojshëm’.

