Një ngjarje e rëndë është shënuar në spitalin Sant’Andrea në Romë, ku një pacient 43-vjeçar ka tentuar të vrasë shokun e tij të dhomës, një burrë 84-vjeçar. Incidenti ndodhi në repartin e Gastroenterologjisë. 43-vjeçari, me origjinë indiane, dyshohet se ka humbur papritur kontrollin dhe për shkaqe që ende nuk janë sqaruar, është hedhur mbi pacientin e moshuar, banor i Romës.

Burri ka nisur ta godasë me dhunë 84-vjeçarin me duar, ndërsa më pas ka tentuar ta mbysë teksa ai ndodhej i shtrirë në shtrat. Situata u vu nën kontroll falë ndërhyrjes së menjëhershme të stafit mjekësor, i cili u alarmua nga zhurmat që vinin nga dhoma dhe arriti të parandalojë pasoja më të rënda.

Pas mbërritjes së karabinierëve, 43-vjeçari ka reaguar me agresivitet edhe ndaj forcave të rendit, duke i shtyrë dhe duke plagosur disa prej tyre, në përpjekje për t’i rezistuar arrestimit. Ai u arrestua dhe u transferua në burgun Regina Coeli në Romë, ku do të përballet me akuzat për tentativë vrasjeje dhe rezistencë ndaj forcave të rendit.