Një burrë ka ndërruar jetë pasi i vuri flakën vetes pasditen e së enjtes. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pranë selisë së Kombeve të Bashkuara (OKB) në Nju Jork, konfirmoi Departamenti i Policisë së Nju Jorkut.
Policia ka bërë të ditur se, autoritetet morën një telefonatë rreth orës 18:32 me orën lokale për një person që i kishte vënë flakën vetes pranë godinës së OKB-së. Ai u transportua me urgjencë në Spitalin Bellevue në Manhattan, ku më vonë u shpall i vdekur si pasojë e plagëve të rënda.
Ndërkohë mediat amerikane shkruajnë se, policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes, ndërsa deri më tani nuk ka dhënë një vlerësim zyrtar mbi motivet që çuan në aktin ekstrem.
Nga raportimet e “New York Post” thuhet se, burri ishte i veshur si një murg tibetian dhe, pak para se t’i vinte flakën vetes, vendosi pranë tij një flamur tibetian, çka ka ngritur dyshime se akti mund të ketë qenë një formë proteste.
Nga ana e tyre, Kombet e Bashkuara nuk kanë bërë ende një reagim zyrtar lidhur me incidentin.


