Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë tronditur nga rasti i një mësuesi muzike nga Long Island, i cili është arrestuar nën akuzën për përdhunimin dhe më pas vrasjen e kunatës së tij brenda shtëpisë familjare. E gjithë ngjarja e rëndë ndodhi kur bashkëshortja e tij ishte larg në një udhëtim pune.

Sipas autoriteteve vendase, 27-vjeçari e ftoi motrën e gruas së tij që t’a ndihmonte të zhvendoste një piano në shtëpinë e tyre në North Massapequa, Nju Jork.

Ndërkohë prokurorët kanë thënë se sapo ajo mbërriti, ai e sulmoi. Thuhet se e mbyti derisa humbi ndjenjat dhe më pas e përdhunoi.

Policia ka njoftuar se pas sulmit, i pandehuri telefonoi vetë 911 dhe qëndroi në vendngjarje derisa mbërritën oficerët. Autoritetet thonë se ai pranoi se sulmoi 25-vjeçaren, e cila u dërgua me urgjencë në spital, ku më vonë ndërroi jetë nga plagët e marra.

Prokuroria pretendon se 27-vjeçari ishte tërhequr në mënyrë obsesive nga gruaja fatkeqe që nga viti 2017, disa vite para krimit.

Viktima ishte kandidate për doktoraturë në Universitetin Stony Brook dhe jetonte në katin përdhes të së njëjtës banesë, ndërsa i pandehuri dhe gruaja e tij jetonin sipër. Ai u akuzua për vrasje të shkallës së dytë dhe u deklarua i pafajshëm në paraqitjen e tij të parë në gjykatë.

27-vjeçari mbetet në paraburgim pa lirim me kusht. Distrikti shkollor ku ai punonte njoftoi se ai ishte vendosur në pushim administrativ deri në përfundimin e procedurave ligjore. Avokati i tij mbrojtës foli për një rast tragjik që ka tronditur familjen, duke vënë në dukje se klienti i tij kishte një imazh pozitiv si edukator deri më tani. Hetimet nga autoritetet amerikane për rastin janë duke vazhduar.