Presidenti rus Vladimir Putin pretendoi se Rusia nuk e filloi “luftën” në Ukrainë, por përkundrazi pretendoi se ajo filloi me një “grusht shteti” në vitin 2014, kur Krimea u pushtua nga Moska.
Ai shtoi se Rusia nuk ka pasur “asnjë shans për të zgjidhur situatën në Ukrainë”, ku forcat e Kremlinit kanë zhvilluar luftë që nga fundi i shkurtit.
Putin më pas pretendoi se Polonia, e cila është fqinje me Ukrainën, shpreson të pushtojë territore në perëndim të vendit. Polonia ka mirëpritur miliona refugjatë ukrainas në muajt e fundit.
“Rusia mund të jetë garantuesi i vetëm i integritetit territorial të Ukrainës. Por kjo varet nga udhëheqësit e rinj të Ukrainës.“-tha Putin.
Udhëheqësi rus iu kthye frikës për armët bërthamore, duke pretenduar se kërcënimi i luftës bërthamore është “në rritje”.
“Rusia i konsideron armët bërthamore një përgjigje ndaj një sulmi. Rusia nuk është çmendur”- shtoi ai.
Putin pohoi gjithashtu se Rusia nuk ka armë bërthamore taktike në vende të tjera ndryshe nga Shtetet e Bashkuara, dhe më pas tha: “Ne kemi armët më të avancuara, por nuk duam t’i tundim ato”.