Një zjarr i madh ka shpërthyer të hënën në mëngjes në periferi të Los Angelesit, në shtetin e Kalifornisë. Si pasojë, autoritetet janë detyruar që të urdhërojnë evakuime emergjente për banorët e disa zonave, ndërsa flakët po përhapen me shpejtësi të rrezikshme.
Departamenti lokal i zjarrfikësve ka njoftuar se, zjarri nisi pak pas orës 10:50 sipas orës lokale në zonën e Simi Valley, rreth 60 kilometra në veriperëndim të Los Angelesit, një qytet me mbi 100 mijë banorë.
Autoritetet paralajmëruan gjithashtu se flakët po kërcënojnë drejtpërdrejt ndërtesat dhe infrastrukturën e zonës, ndërsa era dhe kushtet atmosferike po favorizojnë përhapjen e zjarrit.
Për të vënë situatën nën kontroll janë angazhuar rreth 200 zjarrfikës, tre avionë zjarrfikës dhe gjashtë helikopterë, të cilët po punojnë intensivisht nga toka dhe ajri.
Departamenti i zjarrfikësve bëri të ditur se urdhri i evakuimit prek katër zona të Simi Valley, ndërsa një pjesë e komunitetit fqinj Thousand Oaks është vendosur në gjendje paralajmërimi.
Deri më tani nuk raportohet për viktima, ndërsa autoritetet po monitorojnë nga afër situatën dhe u kanë bërë thirrje banorëve të ndjekin udhëzimet e emergjencës.








