Një i afërm i adoleshentit francez, Nahel, të qëlluar nga policia ka reaguar lidhur me trazirat e mëdha që po ndodhin në Francë.
Ai i tha BBC-së se familja e tyre nuk donte që vdekja e adoleshentit të shkaktonte trazira.
“Ne kurrë nuk kemi bërë thirrje për urrejtje apo trazira të mëdha,” tha i afërmi për BBC.
Teksa kujtojmë se 17-vjeçari, Nahel u qëllua për vdekje pasi nuk u ndal për një kontroll nga policia të martën e kaluar, prej 5 ditësh Franca ka parë trazira të mëdha dhe revoltë të egër të qytetarëve.
Ndër të tjera, i afërmi tha se trazirat, që kanë pasur mijëra të arrestuar, dyqane të grabitura dhe qindra automjete të djegura, nuk e nderojnë kujtimin e Nahelit.
“Ne nuk kemi kërkuar të thyejmë apo të vjedhim. E gjithë kjo nuk është për Nahelin,” i thanë ata BBC-së, duke folur në kushte anonimiteti.
Ata thanë gjithashtu se kishin bërë thirrje për një “Marshim të Bardhë në rrugë. Ecje në kujtim të Nahelit. Ecje duke demonstruar, por pa shkatërrime”.
I afërmi tha se autoritetet franceze tani duhet të ndryshojnë ligjin që lejon policët të qëllojnë.
Gjithashtu ai bëri thirrje për “trajnim më të mirë për policinë franceze, rregullimin e përdorimit të armëve për policinë dhe rishikimin e ligjit që lejon policinë të përdorë forcën nëse një i ri refuzon të ndalojë pas sinjalit të policisë”.
Anais, një mikeshë e familjes dhe fqinje i tha gjithashtu BBC-së se të qenit një i ri me ngjyrë në periferi të Francës do të thotë të jesh çdo ditë subjekt i racizmit, dhunës dhe profilizimit racor.
“Policët i poshtërojnë, i fyejnë dhe nuk u flasin siç duhet. Dhe tani i vrasin! Naheli bëri bujë në media, por nuk është hera e parë që ndodh,” tha ajo.
I afërmi i Nahelit tha se si pasojë e kaosit të vazhdueshëm, familja nuk kishte pasur asnjë moment të qëndrojnë të gjithë së bashku dhe ta kujtonte atë.
“Ne duam që gjithçka të qetësohet. Rrjetet sociale, trazirat, gjithçka duhet të qetësohet. Me gjithë këtë, ne nuk kemi pasur kohë të ulemi për pesë minuta së bashku dhe të mendojmë për të,” thanë ata.
Më herët të dielën, gjyshja e Nahelit gjithashtu bëri thirrje për t’i dhënë fund dhunës dhe akuzoi rebelët për përdorimin e vdekjes së Nahelit si justifikim.