Një protestë në Stokholm ku u shfaqe dhe një kukull në formën e presidentit turk, Rexhep Tayip Erdogan e varur nga këmbët, ka bërë që ambasadori suedez në Ankara të thirret në takim.

Besohet se kjo shenjë proteste vjen pasi Suedia ka kërkuar miratimin e Turqisë për t’u bashkuar me NATO-n, për të cilën aplikoi pas pushtimit rus të Ukrainës vitin e kaluar, shkruan Reuters.

Ankaraja ka thënë se Suedia duhet të marrë një qëndrim më të qartë kundër atyre që i sheh si terroristë, kryesisht militantë kurdë dhe organizatës që fajëson për një përpjekje për grusht shteti të vitit 2016. Finlanda dhe Suedia nënshkruan një marrëveshje trepalëshe me Turqinë në vitin 2022, që synon të kapërcejë kundërshtimet e Ankarasë për anëtarësimin e tyre në NATO.

Staffan Herrstrom, ambasadori i Suedisë në Turqi, u thirr në ministrinë e Jashtme të enjten dhe reagimi i Ankarasë iu përcoll, tha një burim diplomatik turk.

“U theksua pritshmëria jonë që autorët e incidentit të identifikohen, të kryhen proceset e nevojshme dhe Suedia të mbajë premtimet e saj”, tha burimi.

Ministria e Jashtme e Suedisë konfirmoi se ambasadori ishte thirrur në ministrinë e Jashtme në Ankara, por nuk pranoi të jepte detaje për atë që u diskutua.