Një defekt i rëndë në njërën prej fletëve të motorit të djathtë të një avioni Boeing 737 të Ryanair shkaktoi një zinxhir ngjarjesh që çuan në thyerjen e një dritareje dhe thithjen pjesërisht të një pasagjeri gjatë një fluturimi mbi Greqi më 10 korrik.

Të dhënat paraprake të publikuara nga Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit në SHBA (NTSB) tregojnë se shkaku i mundshëm i incidentit ishte dëmtimi i metalit, shoqëruar me konsumim të pjesshëm në pjesën e fletës së motorit.

Avioni ishte nisur nga Selaniku me 155 persona në bord dhe po fluturonte drejt Memmingenit në Gjermani. Problemet nisën gjatë ngjitjes, në një lartësi prej rreth 16 mijë metrash pranë Polikastros, disa kilometra larg kufirit me Maqedoninë e Veriut.

Sipas të dhënave të regjistruara nga sensorët e kutive të zeza, në motorin CFM56-7B26 u vu re fillimisht një rritje e ndjeshme e dridhjeve. Disa minuta më vonë, situata u përkeqësua, ndërsa një zhurmë e fortë u shoqërua me shkëputjen e autopilotit dhe aktivizimin e paralajmërimeve në kabinën e pilotëve.

Hetuesit përcaktuan se njëra prej fletëve të motorit, konkretisht numri 10, u këput. Fragmentet e saj u hodhën me shpejtësi të madhe, duke dëmtuar mbulesën e jashtme të motorit dhe duke depërtuar në pjesën e poshtme të trupit të avionit.

Një prej fragmenteve goditi dhe theu plotësisht dritaren pranë sediljes 11F. Si pasojë e dekompresimit të menjëhershëm, një pasagjer u tërhoq pjesërisht drejt hapjes së krijuar në trupin e avionit, duke shkaktuar panik mes udhëtarëve dhe ekuipazhit.

Maskat e oksigjenit ranë automatikisht, ndërsa disa pasagjerë tentuan të mbulonin hapjen në trupin e avionit me mjete të improvizuara. Pilotët arritën të stabilizonin avionin dhe u kthyen për një ulje emergjente në aeroportin e Selanikut.

Hetimi ka nxjerrë në pah edhe një tjetër element. NTSB ka gjetur mbetje zogjsh brenda motorit, duke ngritur dyshimin se avioni mund të ketë goditur zogj gjatë ngritjes.

Megjithatë, pilotët nuk raportuan një përplasje të tillë dhe problemi me motorin u shfaq disa minuta pas ngritjes. Për këtë arsye, hetuesit po analizojnë nëse ekziston ndonjë lidhje mes goditjeve të dyshuara nga zogjtë dhe dështimit të fletës së motorit.

Rasti ka ngritur gjithashtu pikëpyetje mbi mirëmbajtjen e motorëve dhe zbatimin në kohë të direktivave të sigurisë.

Sipas hetimit, pjesë të motorit dhe të strukturës së avionit nuk kishin marrë ende përforcimet dhe përmirësimet e kërkuara nga tre direktiva të veçanta të FAA-së të nxjerra në vitin 2025.

Ryanair, megjithatë, ishte në përputhje formale me rregulloret, pasi afati i përcaktuar për kryerjen e ndërhyrjeve në flotë shkon deri në korrik 2028. Tashmë hetuesit po shqyrtojnë nëse ky afat është mjaftueshëm i përshtatshëm për komponentë kritikë të sigurisë.

Një tjetër element që po analizohet është historia e mirëmbajtjes së fletës së motorit. Sipas dokumentit të NTSB-së, ajo i ishte nënshtruar një kontrolli me ultratinguj vetëm 253 cikle fluturimi përpara incidentit, më 24 maj 2026, dhe nuk ishte konstatuar asnjë anomali.

Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu katër goditje të dyshuara nga zogjtë të regjistruara në të njëjtin motor gjatë 12 muajve para incidentit.

Hetimi vijon me pjesëmarrjen e NTSB-së, Boeing, GE Aerospace, Safran dhe Agjencisë Evropiane të Sigurisë së Aviacionit, ndërsa autoritetet po përpiqen të përcaktojnë me saktësi lidhjen mes dështimit të fletës së motorit dhe dëmtimit të strukturës së avionit. /Top Channel/