Një fluturim nga Selaniku drejt Memmingenit në Gjermani u shndërrua në një makth, pasi një pjesë e motorit u shkëput dhe goditi dritaren pranë një pasagjeri, duke e thyer atë dhe duke e tërhequr burrin pjesërisht jashtë avionit në një lartësi prej rreth 6 mijë metrash.

Sipas dëshmitarëve, Ljubisa Karovic, i ulur pranë dritares, u thith nga hapja e krijuar, ndërsa bashkëshortja e tij, Svetlana Grkovic, reagoi menjëherë duke e kapur fort nga këmbët për ta penguar të binte.

“Ishte sikur një pjesë e motorit u shkëput dhe goditi dritaren pranë së cilës ishte ulur Ljubisa. E kapa menjëherë nga këmbët. Mendova vetëm: ‘Nëse vdesim, vdesim bashkë.’ Ishte e tmerrshme”, tregoi ajo për mediat serbe.

Ajo rrëfeu se e mbajti për rreth pesë minuta, derisa pasagjerë të tjerë vrapuan për ta ndihmuar dhe arritën ta tërhiqnin sërish brenda kabinës. Në ato momente, në avion u aktivizuan edhe maskat e oksigjenit, ndërsa pasagjerët u përfshinë nga paniku.

Një dëshmitar tha se Karović kishte gjak në kokë dhe humbi ndjenjat disa herë gjatë incidentit. Fatmirësisht, ai kishte të vendosur rripin e sigurimit, gjë që besohet se i shpëtoi jetën.

Avioni “Boeing 737-800” u detyrua të kthehej menjëherë në aeroportin e Selanikut, ku kreu një ulje emergjente pa probleme. Karović u dërgua në spital me plagë në dorë, djegie nga fërkimi dhe në gjendje të rëndë shoku, ndërsa një grua shtatzënë që ndodhej në bord u transportua gjithashtu në spital për kontrolle dhe më pas u largua në gjendje të mirë shëndetësore.

Në një reagim zyrtar, kompania e fluturimit konfirmoi se avioni u kthye në Selanik pak pas ngritjes për shkak se një dritare e pasagjerëve u shkëput gjatë fluturimit. Kompania bëri të ditur se pasagjerëve iu vu në dispozicion një avion tjetër për të vazhduar udhëtimin drejt Gjermanisë.